10 familjet poligame më të mëdha në botë

15/01/2015 00:00

Poligamia është e ndaluar me ligj në shumicën e vendeve të botës. Në Amerikë, shumë familje jetojnë të izoluara, jashtë vëmendjes publike, për të shmangur kështu edhe ndëshkimet që parashikon ligji.

Të tjera familje zgjedhin ta bëjnë publike mënyrën e tyre të të jetuarit. Disa “reality show” janë krijuar duke ndjekur jetët e familjeve poligame.

Ka dy forma të poligamisë. Njëra është kur burri martohet me dy a më shumë gra, ndërsa poliandria është rasti kur gruaja rri me më shumë se një burrë. Mund ta imagjinoni që forma e parë e martesës së shumëfishtë është më e zakonshmja. Ndërsa e dyta është një nga praktikat më të zakonshme të ditëve të sotme në Tibet.

Në disa kultura, një burrë i martuar me shumë gra është si një status për të. Sa më shumë gra ai të marrë, aq më i suksesshëm dhe i pushtetshëm do të bëhet.

Pavarësisht debateve për lidhjet midis besimeve dhe poligamisë, këtë formë jetese e gjen të zhvilluar anembanë botës. Sot po sjellim në vëmendje 10 prej familjeve më të mëdha poligame, bazuar në numrin e pjesëtarëve të familjes që ato kanë.

1- Biznesmeni i Afrikës së Jugut, Milton Mbele, është i martuar me 4 gra njëkohësisht. 44-vjeçari dhe ato të katërta janë ngjitur së bashku në altar, duke i thënë njëzëri ‘Po’ martesës së tyre të përbashkët. Gratë jetojnë të ndara në shtëpi më vete dhe Milton viziton secilën prej tyre një herë në javë.

2- Familja Brown u bë shumë e famshme në vitin 2010 përmes një spektakli televiziv. Programi “motra shemra” u bë shumë i ndjekur, sepse ky “reality show” ndiqte jetën e kësaj familjeje poligame, që jetonte në Utah. Burri me katër gra dhe 13 fëmijë. Kodi dhe bashkëshortet e tij e ndërmorën këtë nismë televizive me dëshirën për të luftuar paragjykimet shoqërore.

3- Jacob Zuma, Presidenti i Afrikës së Jugut ka qenë i martuar 6 herë. Aktualisht vetëm me katër gra, sepse njëra prej tyre është divorcuar dhe tjetra vrau veten. Presidenti Zuma ka 20 fëmijë dhe jo të gjithë me gratë e tij të ligjshme. Por, ai ligjërisht i ka pranuar edhe këta fëmijë. Politikani kontroversial është akuzuar për korrupsion dhe përdhunime, por duket se asgjë nuk mund ta ndalë atë.

4- Familja Darger në Utah. Joe, Vicky, Valerie dhe Alina Darger janë aktiviste të lëvizjes për legalizimin e poligamisë. Ato jetojnë në Utah dhe familja e tyre ka qenë frymëzim për serialin televiziv “Big Love”. Ato janë shfaqur edhe në spektaktin “motrat shemra” dhe janë prezantuar në publik si fundamentaliste të pavarura Mormone.

5- Mohd Nizamuddin Ashhar është anëtar i klubit poligam të Ikhwan. Ai është 48 vjeç, i martuar me 4 gra dhe është babai i 24 fëmijëve të sjellë në jetë. Të gjithë së bashku jetojnë në Kuala Lumpur të Malajzisë, vend ku poligamia është e ligjëruar me një kusht, që burri nuk mund të martohet me më shumë se 4 gra. Klubi poligam i “Ikhwan” ka rreth 1 mijë anëtarë malajzianë, indonezianë, australianë, nga Singapori, Tajlanda, Lindja e Mesme dhe Europa. Por, ata përndiqen prej shtetit si një grup njerëzish, që po përpiqen të ringjallin kultin e “al-Arqam”, praktikimi i të cilit është i ndaluar që prej vitit 1994 për mësime të gabuara fetare.

6- Brady Williams nga Utah dhe 5 gratë e tij, së fundmi kanë filluar ta ndajnë në publik jetën e tyre private. Ata kanë qenë pjesë e “reality show”-t “My five wifes” (pesë gratë e mia) dhe thonë se kjo gjë i ka bërë ata të ndihen të lehtësuar, që kur kanë filluar ta bëjnë këtë. Të gjithë së bashku kanë sjellë në jetë 24 fëmijë dhe jetojnë në shtëpinë e tyre në Salt Lake City.

7- Ashaari Muhammad, i njohur si Abuya, ka ndërruar jetë së fundmi. Ai ishte i martuar me 5 gra njëkohësisht. Kishte 38 fëmijë dhe 203 nipër e mbesa. 72-vjeçari ishte themelues i sektit musliman “al-Arqam”, i krijuar në 1968. Abuya u bë veçanërisht i famshëm për promovimin e poligamisë. Që kur sekti tij u ndalua, ai u detyrua të lërë Malajzinë, por ai u arrestua në Tajlandë dhe u rikthye për t’u burgosur në vendin e tij.

8- Joe S. Jessop është një anëtar i respektuar i kishës fundamentaliste të Jezu Krishtit në Utah. Ai ka 5 gra, 46 fëmijë dhe 239 nipër dhe mbesa.

9- Një tjetër familje e bujshme poligame në botë ka qenë ajo e Verlan Le Baron. Bashkëshorti pati 10 gra, me të cilat solli në jetë 58 fëmijë.

10- Dhe familja më e madhe në botë që ka ekzistuar ndonjëherë është ajo e Ziona Chana në Indi. Ai ka 39 gra, 94 fëmijë, 14 të tjerë të birësuar dhe 33 nipër e mbesa. Ai ka shtëpinë më të madhe në fshat, me 100 dhoma. Për një vakt të vetëm, familjes i nevojiten 30 pula. Ziona ndihet i bekuar me një familje kaq të madhe dhe ai ka deklaruar në media se është ende në kërkim të gruas tjetër.

Top Channel