Kosovë, përkujtohet masakra e Reçakut

15/01/2015 00:00

Politikanë, qytetarë dhe familjarë vizituan këtë të enjte kompleksin memorial në fshatin Reçak të komunës së Shtimës, në përkujtim të 16-vjetorit të masakrës ku forcat serbe vranë 45 shqiptarë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se masakra e Reçakut solli nderhyrjen e komunitetit ndërkombëtar, pasi ishte një pasqyrë e veprimeve të egra të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët masakruan pleq e të rinj.

Homazhe në kompleksin memorial në Reçak bëri edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe figura politike nga opozita. Kryetari i Parlamentit theksoi se, kjo ngjarje është dhembje e madhe njerëzore dhe në të njëjtën kohë është një qëndresë e madhe nacionale. “Kjo është shenjë e lirisë para se cilës përulemi të gjithë”, u shpreh Veseli.

Përveç vizitave pranë varrezave të Reçakut, autoritetet organizuan edhe një akademi përkujtimore, ku të pranishëm ishin sërish kryeministri Mustafa, kryetari i Kuvendit, familjarë dhe përfaqësues të UÇK-së.

Masakra e Reçakut cilësohet si një nga ngjarjet më të rënda që ndodhi në periudhën e luftës në Kosovë. Ishte shefi i misionit verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim, William Walker, i cili në kuadër të vëzhgimit të situatës në Kosovë e cilësoi këtë masakër si “krim kundër njerëzimit”. Kjo bëri që dy muaj më vonë, NATO të fillonte sulmet ajrore kundër forcave serbe.

Top Channel