CIA shfajësohet nga përgjimi i anëtarëve të Senatit

15/01/2015 00:00

Departamenti i kontrollit të brendshëm në Agjencinë Qendrore të Inteligjencës në SHBA ka shfajësuar stafin e saj nga akuzat se ka përgjuar kompjuterët e përdorur nga anëtarët e Senatit amerikan.

Departamenti i kontrollit deklaroi se oficerët e CIA-s kishin vepruar në mënyrë të arsyeshme, pasi dyshonin se kompjuterët përmbanin materiale të klasifikuara.

Akuzat lindën pasi ligjvënësit amerikanë hetuan rastin e torturave të CIA-s dhe u mbështetën edhe nga inspektori i përgjithshëm i agjencisë, David Buckley.

Ky i fundit deklaroi atëherë se punonjësit kishin hyrë në mënyrë të paautorizuar në kompjuterët e stafit të Senatit. Menjëherë agjencia i kundërshtoi deklaratat dhe departamenti i brendshëm nisi një proces hetimor.

Nga ky i fundit rezultoi se, edhe pse ka pasur disa ndërhyrje të paautorizuara në një rrjet të sigurt të përdorur nga punonjësit e Senatit, nuk ka pasur asnjë keqpërdorim apo shkelje të ligjit.

Dianne Feinstein, kryetare e komitetit të Senatit që mbikëqyr operacionet e shërbimeve sekrete, i hodhi poshtë konstatimet e hetimit.

“Jam e zhgënjyer që askush në CIA nuk do të mbajë përgjegjësi për këtë. Vendimi i agjencisë ishte që të përgjoheshin kompjuterët e anëtarëve të komitetit dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këto veprime”, deklaroi Feinstein.

Përfundimet e departamentit vijnë një javë pasi kryeinspektori Buckley njoftoi dorëheqjen nga posti, ndërkohë që zyrtarët e CIA-s deklaruan se largimi i tij nuk kishte asnjë lidhje me hetimet.

Top Channel