Profesor Bardhyl Çipi publikon librin ‘Manuali i Mjekësisë Ligjore’

15/01/2015 00:00

“Ekspertët duhet t’i bëjnë të gjitha veprimet jo vetëm në këqyrje të vendngjarjes, por edhe në autopsi”. Ky apel i  ekspertit të mjekësisë ligjore, Bardhyl Çipi është veçanërisht i dukshëm në librin e botuar se fundmi me titull “Manual i Mjekësisë Ligjore” me bashkëautor profesorin Çipi dhe të atin Spiro Çipi.

Libri është një ABC e domosdoshme për mënyrën e këqyrjes së vendngjarjes së një krimi, që nga më të thjeshtat deri tek më të sofistikuarat dhe ju drejtohet të gjithe kriminalistëve, hetuesve e mjekëve ligjorë që angazhohen në zbardhjen e tyre.

Profesor Bardhyl Çipi thotë se për shkak të një pakujdesie në vendngjarje mbeten më pas  pikëpyetje të përjetshme, siç është edhe vdekja e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në 1981.

“Unë e përmend për gabimin që është bërë sepse ekzaminimi mjeko-ligjor aty nuk është bërë i plotë. Është bërë vetëm këqyrja në vendin e ngjarjes dhe pastaj është urdhëruar që të mos lejohet bërja e autopsisë. Pikërisht ky pengim i bërjes së autopsisë mendoj që ka bërë që ky rast të diskutohet dhe të ngrihen shumë dyshime, që ka vrarë veten apo e kanë vrarë dhe kjo gjë i vë një pikëpyetje versionit zyrtar të vetvrasjes”, thotë profesor Çipi.

Në librin ‘Manuali i Mjekësisë Ligjore’ shtjellohen metodat që duhen ndjekur për hetimin e vrasjeve, konstatimin e kohës kur ka ndodhur ajo, deri tek identifikimi sipas ADN-së, jo vetëm i viktimave të paidentifikuara, por edhe i konstatimit të gjurmëve në një skenë krimi, si edhe mënyra si duhet të hetohen nga mjeket ligjore gabimet e kolegëve të tyre mjekë në rastet kur ata kallëzohen për mjekim të pakujdesshëm. Profesor Çipi sjell në vëmendje hetimin e Gërdecit.

“Në këtë ngjarje ne menjëherë në ato ditët e para na erdhën këtu 19 kufoma. Numri i viktimave është 26, por të tjerët vdiqën më vonë nëpër spitale. Tek këto 19 të vdekur, ne përdorëm këto metodat e antropologjisë, një pjesë u identifikua menjëherë sepse ishin të padëmtuar, kurse disa kufoma, 5 ose 6 që ishin transformuar në grumbuj indesh të dëmtuar, për promovimin e tyre ne përdorëm ADN”, shpjegon profesor Çipi.

Në promovimin e ‘Manualit të Mjekësisë Ligjore’ ishin të pranishëm jo vetëm ekspertë të këtij departamenti, por edhe kriminalistë të Policisë së Shtetit dhe prokurorë të Krimeve të Rënda.

Top Channel