Tregu i punës, BE: Mospërputhje mes vendeve të punës dhe aftësisë së të papunëve

15/01/2015 00:00

Shqipëria vijon të renditet në vendet që vuajnë një normë të lartë të papunësisë, e që sipas shifrave zyrtare në fund të vitit 2014 llogaritet në rreth 17%.

Ambasadorja e delegacionit të BE-së, që prej vitit 2004 ka mbështetur Shqipërinë me rreth 19 mln euro në sektorin e tregut të punës, thotë se shkak për këtë është ndër të tjera mospërputhja mes aftësive të forcës së punës dhe asaj çfarë ofron tregu.

Në përmbylljen e projektit “IPA 2010” për “Zhvillimin e burimeve njerëzore në Shqipëri”, zonja Vlahutin dha një sërë rekomandimesh për qeverinë, që sipas saj duhet të udhëheqë forcat e punës drejt kërkesës së tregut dhe mbi përmirësimin e kushteve të punës.

“Kodi i ri i punës mbetet për t’u miratuar. Ka disa sektorë në Shqipëri, si minierat, nafta apo industritë e ndërtimit, të cilave u mungon siguria në punë dhe mbrojtja e shëndetit. Statistikat duhen përmirësuar për të udhëhequr drejtë punëdhënësit dhe punëmarrësit, e për të monitoruar progresin në implementimin e strategjisë kombëtare për punësim dhe aftësim. Ekonomia informale është ende ofrues i rëndësishëm i punës, duhet formalizuar”, tha Romana Vlahutin, Ambasadore e BE në Shqipëri.

“Kemi eksploruar disa sektorë me programe të reja, në disa fusha me potenciale të mëdha për zhvillim në Shqipëri, të cilat sot nuk kanë punë por kanë potencial të madh punësimi. Industritë detare, siguria e ushqimit, industria tekstile etj fillojnë dhe e ndihmojnë biznesin të lëvizë fokusin e tij nga prodhimet me materiale porositësi, drejt disa prodhime të markave shqiptare”, u shpreh Gentiana Sula, zëvendësministre e Punës dhe Çështjeve Sociale.

Delegacioni vuri theksin te vëmendja, që duhet t’i kushtohet trajnimit të rinisë, grave dhe grupeve me aftësi të kufizuara, për t’i bërë pjesë aktive të forcave të punës.

Top Channel