Francë, përcillen viktimat e “Charlie Hebdo”

15/01/2015 00:00

Në Francë janë mbajtur këtë të enjte ceremonitë mortore për katër nga personat e vrarë në sulmin e javës së kaluar ndaj redaksisë së revistës satirike “Charlie Hebdo”, në Paris.

Familjarë dhe miq të viktimave bënë homazhe në nder të karikaturistëve Bernard Verlhac dhe Georges Wolinski, si dhe për një gazetar dhe agjentin e policisë të vrarë gjatë sulmit nga militantët islamikë.

Për Verlhac u mbajt një shërbim mortor privat në zonën periferike Montreuil, para se të përcillej për në banesën e fundit në Pere Lachaise, vendi më i njohur në Paris ku prehen shkrimtarë, artistë dhe kompozitorë.

Në këtë vend u mbajt po ashtu një ceremoni në nder të Wolinskit, edhe pse trupi i tij do të digjej.

Ndërkohë, miqtë dhe familjarët morën pjesë po ashtu në varrimin e gazetares Elsa Cayat dhe agjentit Franck Brinsolaro, që kishte për detyrë të ruante redaktoren e “Charlie Hebdo”, Stephane Charbonnier.

Turmat e mbledhura në Montruil duartrokitën gjatë kur arkivoli me trupin e Verlhac mbërriti për ceremoninë. Ata mbanin në duar vizatime dhe parulla me mesazhe.

Duke bërë homazhe në nder të tij, kolegia e Verlhac, Corinne Rey e cilësoi të ndjerin si “mbretin e shakave”. “Revista jonë do të jetojë, por do të jetë ndryshe. Ti nuk pate kurrë frikë nga asgjë dhe unë të siguroj se as ne nuk do të frikësohemi”, u shpreh Rey.

17 persona humbën jetën në sulmet e javës së kaluar, 8 prej të cilëve anëtarë të stafit të revistës, një vizitor dhe një mirëmbajtës i redaksisë.

Gjithashtu humbën jetën tre oficerë policie dhe 4 persona të marrë peng në një market hebre të kryeqytetit francez. Sulmi ndaj “Charlie Hebdo” u morr përsipër nga Al Kaeda jemenase, që deklaroi hakmarrjen në emër të profetit.

Top Channel