Operacion antiterror në Belgjikë, vriten dy xhihadistë

15/01/2015 00:00

Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një i tretë është plagosur rëndë, gjatë një operacioni antiterror të policisë belge, i cili u zhvillua në qytetin Verviers.

Gjatë një konference për shtyp autoritetet belge të sigurisë konfirmuan se mes viktimave nuk është asnjë polic ose civil, megjithatë identiteti i personave që humbën jetën nuk bëhet ende i ditur.

“Shërbimet e inteligjencës na paralajmëruan se një grup militantësh do të zhvillonin akte terroriste në vend”, deklaroi kryeprokurori belg. Sipas tij u shmang një tragjedi, “Parisi i dytë”.

Gjithashtu edhe Brukseli u alarmua nga një paralajmërim për bombë, duke vënë forcat e policisë në lëvizje.

Mediat lokale, raportojnë se në vend është rritur tensioni për shkak të kërcënimit të sigurisë. Qyteti Vievers, ku u zhvillua operacioni, ka një popullsi prej 56 mijë personash.

Bëhet e ditur se qëllimi i këtij operacioni ishte arrestimi i personave që kanë lidhje me terrorizmin ose atyre që kanë qenë pjesë e luftës në Lindjen e Mesme dhe tashmë janë rikthyer në Belgjikë.

Autoritetet pohuan se vendi i tyre është përballur me aktivitet të madh radikal islamik në mesin e popullsisë së saj muslimane.  Megjithatë investigime të mëtejshme do të bëjnë me dije nëse këto akte terroriste të menduara, kanë lidhje me ato të Parisit.

Operacioni i policisë belge vjen një ditë pas lajmit se shumica e armëve të përdorura në atentatet terroriste në Francë, ku humbën jetën 17 persona, ishin blerë nga militanti islamik Amedy Coulibaly në Belgjikë.

Lajmi iu komunikua autoriteteve nga trafikanti që ua kishte shitur ato militantëve, i cili u vetëdorëzua në polici dhe tha se në momentin e shitjes nuk kishte qenë në dijeni të planeve të Coulibaly.

Sipas burimeve policore, automatiku tip “Scorpion” dhe pistoleta “Tokarev” të përdorur nga Colibaly për sulmin në marketin hebre të Parisit vinin nga Brukseli.

Ndërsa dy kallashnikovët e përdorur nga vëllezërit Kouachi në redaksinë e “Charlie Hebdo” ishin blerë në lokalitetin Gare du Midi, në Bruksel, për më pak se 5 mijë euro.

Belgjikë, detajet e operacionit të policisë

Operacioni i policisë është kryer në lagjen e stacionit hekurudhor të qytetit Verviers, ndaj tre individëve, të gjithë nën mbikëqyrje pasi ishin të sapokthyer nga Siria.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, forcat speciale të policisë kanë hyrë në ndërtesë, ndërsa snajperët ishin vendosur jashtë saj dhe mbanin nën mbikëqyrje çatitë e shtëpive.

Nga burimi zyrtar i shtypit mësohet se operacione kontrolli po zhvillohen në të gjithë vendin, ku është shumë i përhapur fenomeni i “luftëtarëve të huaj”, siç njihen ndryshe evropianët e radikalizuar dhe që kanë shkuar të luftojnë në Siri apo vende të tjera.

Tre xhihadistët, dy prej të cilëve kanë vdekur ndërsa njëri është plagosur, ishin kthyer prej një jave nga fronti sirian, ku kishin kaluar shumë muaj për t’u radikalizuar dhe formuar ushtarakisht.

Menjëherë policia kishte nisur mbikëqyrjen e tyre. kontrollet e forcave të rendit janë shtrirë edhe në lagjen Moelenbek të Brukselit, ku banojnë shumë myslimanë.

Ndërkohë, rrjeti televiziv RTL ka siguruar dëshminë e një gruaja që ndodhej rrugës me fëmijët kur nisi operacioni i forcave speciale. “Po ecnim dhe do të kalonim vijat e bardha kur një person i veshur me blu të errët dhe me maskë në kokë na shtyu dhe na tha mbathjani”, ka treguar gruaja.

“Pamë përreth dhe vumë re një kamionçinë blu të errët që kishte ndaluar në mes të rrugës dhe dy persona të maskuar. Pastaj pati një numër të madh policësh. Ia mbathëm me vrap dhe dy sekonda më pas u dëgjua një shpërthim i fuqishëm dhe të shtëna armësh zjarri me breshëri. Fëmijët filluan të qanin. I shtyva përpara dhe u thash vraponi”, ka treguar më tej dëshmitarja. 

Top Channel