Lulzim Basha pret Ambasadorin Donald Lu

15/01/2015 00:00

Partia Demokratike e konsideron aleancën me Shtetet e Bashkuara si “të pazëvendësueshme dhe vendimtare” për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Ai theksoi pikëpamjen e Partisë Demokratike se “Shqipëria e ka detyrim të jetë në krah dhe në mbështetje të Shteteve të Bashkuara, jo vetëm si aleatë në NATO, por edhe si partner kryesor strategjik në mbrojtje të vlerave demokratike, të cilat kërcënohen nga terrorizmi, regjimet oligarkike dhe krimi i organizuar”.

Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë çmoi angazhimin publik të Ambasadorit Amerikan për të vijuar ndihmën ndaj Shqipërisë në konsolidimin e insitucioneve demokratike.

Sipas zotit Basha “kjo është e një rëndësie të veçantë, sepse  vlerat dhe standardet demokratike në Shqipëri janë para sfidave dhe kërcënimeve të mëdha”.

Njoftimi i Partisë Demokratike nuk jep më shumë detaje në këtë pikë, ndërsa ai i Ambasadës Amerikane nëpërmjet 2 fjalive, jep mesazhin se Shtetet e Bashkuara presin bashkëpunimin e forcave politike në parlament.

Njoftimi amerikan thotë se “Ambasadori nxiti dialogun dhe bashkëpunimin midis opozitës dhe shumicës qeverisëse për zbatimin e rezolutës së 24 dhjetorit, si dhe për punën e përbashkët për të ardhmen që shqiptarët kërkojnë”.

Top Channel