Ronaldo, “Lojtari i shekullit” në Portugali, lë pas Eusebion dhe Figon

15/01/2015 00:00

Cristiano Ronaldo është shpallur edhe lojtari i shekullit në Portugali, në “gala”-në e organizuar për 100-vjetorin e Federatës portugeze të Futbollit, vetëm pak ditë pas marrjes së trofeut të “Topit të Artë” të tretë në karrierën e tij.

Trajneri i Chelseat, Jose Mourinho, u vlerësua gjithashtu me çmimin “Trajneri portugez i shekullit”, në eventin që u zhvillua në kazinonë Estoril, 10 km në periferi të Lisbonës.

Sulmuesi i Real Madridit, i cili shënoi 60 gola në 61 ndeshje në total gjatë vitit 2014, rezultoi kështu më i votuar se sa Eusebio dhe Luis Figo.

29-vjeçari, i cili mori “Topin e Artë” edhe në vitet 2008, 2013, e që ndihmoi “Los Blancos”-it të fitonin Championsin e dhjetë në histori me 17 gola të shënuar prej tij në 11 ndeshje, mungoi në “gala”-në, për shkak të përgatitjeve për sfidën e Realit ndaj Atleticos në Kupën e Mbretit.

Top Channel