Top Story, parakalimi i 4 klerikëve shqiptarë në Paris

15/01/2015 00:00

Përfaqësimi i Shqipërisë në marshimin e unitetit me 4 klerikë të katër besimeve kryesore në vendin tonë krah për krah me njëri-tjetrin, u duartrokit nga të pranishmit në rrugët e kryeqytetit francez, Paris.

Po a përfaqësonte kjo shfaqje realitetin e vërtetë në vendin tonë, atë të tolerancës fetare, apo kjo tolerancë nuk është në të tilla përmasa siç thuhet?

Për këtë dhe për të tjera pyetje, në takimin e kësaj të enjteje në Top Story me gazetarin Sokol Balla folën të ftuarit Eni Vasili, gazetare, Belina Budini, Mustafa Nano, gazetar, Mero Baze, gazetar, Bujar Kapexhi, karikaturist dhe Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

I pari që mori fjalën ishte gazetari Mustafa Nano.

“Jam i befasuar dhe nuk shoh ndonjë gjë për t’u parodizuar. Do më dukej e çuditshme po të politizohej kjo. Por kjo na përfaqëson ne. Është një traditë që ekziston realisht. Është e pamohueshme dhe nuk është se ne përpiqemi ta shesim për të bërë marketing, ndërkohë që kjo gjë ekziston. Janë me dhjetra të huaj që kanë shkelur në Shqipëri që në gjërat e para që kanë parë është bashkëjetesa fetare. Sa i takon harmonisë mes klerikëve shqiptarë, është akoma për t’u vlerësuar”, tha ai.

Edhe Mero Baze tha se ai parakalim ishte një shfaqje befasuese për qytetarët francezë, por jo për shqiptarët që e kanë të përditshme këtë realitet. Ai tha se kritikat më të mëdha kundër atij parakalimi janë politike. “Në Tiranë është kritikuar politikisht kjo ngjarje dhe jo nga kleri, nuk është kritikuar nga ana fetare”, tha Baze.
 
Parakalimi i katër klerikëve shqiptarë frymëzoi edhe Charlie Hebdo të mërkurën që në numrin më të shitur në gjithë historinë e saj, kishte hedhur edhe një vizatim të katër klerikëve të feve të ndryshme me mbishkrimet “Jemi Charlie”.

Top Channel