Kerry: Boko Haram një nga grupet terroriste më të rrezikshme në Planet

16/01/2015 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry i dënoi masakrat e grupit terrorist Boko Haram, duke i cilësuar ato si krime kundër njerëzimit.

Gjatë një konference në Sofje, Kerry u shpreh se ekzekutimi i 2 mijë personave javën e shkuar, përbën një nga masakrat më të mëdha kundër njerëzimit.

“Boko Haram është padyshim një nga formacionet më të dhunshme dhe të rrezikshme terroriste në planet”, ka deklaruar Sekretari amerikan.

Kerry është shprehur gjithashtu se SHBA dhe Britania po shqyrtojnë mundësinë e një ndërhyrje ndaj grupit terrorist.

Ndërkohë, Amnesty International ka publikuar imazhe satelitore, të cilat sigurojnë “prova të padiskutueshme” për sulmet e Boko Haram në 2 qytetet veriore të Nigerisë. Sipas këtyre pamjeve, këto vende janë shkatërruar plotësisht. Amnesty International citon dëshmitarë, zyrtarë dhe aktivistë, të cilët thonë se militantët islamikë  kanë qëlluar qindra civilë në ofensivën e tyre.

Top Channel