‘Muri’ 1000 kilometra që do të mbrojë Arabinë Saudite nga ISIS

16/01/2015 00:00

Familja mbretërore në Arabinë Saudite po ndërton një barrierë me një gjatësi 1 mijë kilometra, e cila do të sigurojë kufirin verior me Irakun. 

“Daily Mail” shkruan se qëllimi i këtij ndërtimi gjigand është mbrojtja e territoreve të pasura me naftë të Arabisë Saudite nga një pushtim i mundshëm nga Shteti Islamik.

Rrethimi nga Jordania deri në Kuvajt do të ketë 78 kulla mbikëqyrëse, 8 qendra të komandë, 32 qendra të reagimit të shpejtë, 3 skuadra speciale dhe 10 automjete mbikëqyrëse.

Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullah bin Abdulaziz al-Saud inauguroi fazën e parë të projektit të sigurisë kufitare në shtator, menjëherë pas kryengritjes sunite të Shtetit Islamik që përfshiu të gjithë Irakun.

Një javë më parë , dy roje kufitare të Arabisë Saudite dhe një oficer mbetën të vrarë pas një sulmi vetëvrasës, i cili është cilësuar si sulmi i parë i ISIS në këtë shtet. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin që ndodhi në një zonë të largët nga qendrat e banuara në Arabinë Saudite, por shumë pranë me provincën Anbar të Irakut.

Barriera mbrojtëse do të jetë e përbërë nga dy rrethime me rrjeta, me hapësirë ndërmjet tyre për të lejuar patrullimin e kufirit. Gjithashtu do të ketë edhe radarë të fuqishëm që mund të zbulojnë individët deri në një largësi prej 12 miljesh dhe automjetet në një largësi prej 24 miljesh.

Shteti Islamik i sheh lidhjet e Arabisë Saudite me Perëndimin si tradhti të Islamit dhe ka bërë thirrje për sulme kundër forcave saudite të sigurisë. Arabia Saudite i është bashkuar koalicionit kundër Shtetit Islamik të udhëhequr nga SHBA-ja, duke marrë pjesë në sulmet ajrore ndaj ISIS.  

Top Channel