Pentagoni, gati programi për trajnimin e rebelëve sirianë

16/01/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë rreth 400 trupa ushtarake që do të
trajnojnë rebelët sirianë për të luftuar ekstremistët e ISIS-it në Siri.

Një zëdhënës i Pentagonit tha për agjencinë Reuters të enjten se përveç 400 trupave do të dërgohet edhe një personel tjetër prej qindra që do të ndihmojnë në trajnimin e rebelëve.

Zëdhënësi deklaroi se ende nuk është vendosur se ku do të kryhet ky trajnim, por shtoi se Turqia, Katari dhe Arabia Saudite kanë shprehur gatishmërinë që ky mision të kryhet në territorin e tyre.

Programi i trajnimit është pjesë e strategjisë disavjeçare të Pentagonit dhe Presidentit Obama për të përgatitur forcat e moderuara siriane për të luftuar kundër ISIS.

Trajnimi pritet të nisë në muajt e pranverës dhe Pentagoni thotë se mund të trajnojë mbi 5 mijë trupa që në vitin e parë, ndërkohë që për rimarrjen e territoreve të kontrolluara prej ISIS në Siri, analistët ushtarake thonë se nevojiten të paktën 15 mijë trupa.

Programi kritikohet nga një pjesë e Kongresit, që deklarojnë se ai nuk do të ofrojë një ndihmë të shpejtë për rebelët sirianë. Ata shprehen skeptikë mbi suksesin e tij dhe se sa do t’ja arrijë që t’i japë fund luftës së stërzgjatur civile në Siri mes Presidentit Bashar al Assad dhe fraksioneve opozitare të tij.

Top Channel