Zvicra heq barrierën e këmbimit frangë-euro; tronditen tregjet

16/01/2015 00:00

Banka Qendrore e Zvicrës vendosi të heqë dorë nga tavani i këmbimit mes
monedhës vendase, franga dhe monedhës së përbashkët europiane.

Ky tavan, i vendosur në 1.2 u prezantua në shtator të vitit 2011, për të ndaluar fluksin e investitorëve dhe mbivlerësimin e frangës në një kohë kur Europa ndodhej në kulmin e krizës financiare.

“Taksa e këmbimit minimal hyri në fuqi në një periudhë mbivlerësimi të jashtëzakonshëm të frangës dhe pasigurish të mëdha të tregjeve financiare. Por tani euro është zhvlerësuar ndjeshëm kundrejt dollarit dhe me dobësimin e frangës po kundrejt dollarit kjo masë nuk justifikohet më”, thuhet në deklaratën e Bankës Qendrore të Zvicrës.

Për ekspertët e ekonomisë ky vendim i Zvicrës argumentohet me frikën se Banka Qendrore, SNB kërkon të shmangë një faliment të mundshëm të mbrojtjes së frangës që mund të ndodhte pas hapave të Bankës Qendrore Europiane javën e ardhshme, ku prite të emëtohen në treg sasi të mëdha monedhash euro.

Vendimi është përcjellë menjëherë në bursat botërore. Në Azi tregjet u hapën me humbje dhe po ashtu edhe në Europë, ndërkohë që për bizneset më të mëdha zvicerane ky vendim konsiderohet si një tsunami për ekonominë vendase.

Top Channel