Pakistan, protesta kundër “Charlie Hebdo”

16/01/2015 00:00

Forcat policore pakistaneze janë përleshur me demonstrues që kishin dalë në rrugët e Karachi-t për të kundërshtuar publikimin e karikaturës së Profetit Muhamed në revistën satirike franceze “Charlie Hebdo”.

Turma u grumbullua pranë ambasadës franceze në këtë qytet. Për shpërndarjen e protestuesve, policët përdoren pompat e ujit, e shumë shpejt situata degjeneroi deri në përleshje. Tubimi ishte pjesë e një vale demonstratash të organizuara në të gjithë Pakistanin nën thirrjet e partisë fetare ‘Jamaat-e-Islami’.

Të enjten politikanët pakistanezë kaluan në parlament një mocion që dënonte ‘Charlie Hebdo’ për botimin e karikaturës së fundit. Liderët fetarë kërkuan hapur që gazetarët e revistës të varen në litar, e grupe besimtarësh u bënë thirrje njerëzve të dalin nëpër rrugë me të përfunduar lutjet e së premtes.

Top Channel