Kontroll zyrtarëve në Dogana e Tatime; nuk kontrollohen prej 10 vjetësh

16/01/2015 00:00

Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive Shkëlqim Ganaj paralajmëron kontroll të imtësishëm për çdo zyrtar të administratës tatimore e doganore, dy struktura, që siç shprehet Ganaj, nuk janë kontrolluar nga inspektoriati prej disa vitesh.

“Subjekt të kontrollit do të jenë edhe ish-zyrtarët edhe zyrtarët që janë aktualisht. Është detyrë, është normë. Nuk përjashtohet asnjë njeri edhe për faktin  që për tatime dhe doganat kanë qenë të pakontrolluar prej 10 vitesh. Do të kontrollohen të gjithë nga viti 2003 e deri më sot”, thotë Ganaj.

Në bashkëpunim me ‘Crown Agents’, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe ILDKP nënshkruan një marrëveshje që i mundëson inspektoriatit të depërtojë më thellë në kryerjen e ekspertizës, me qëllim evidentimin e çdo rasti të korrupsionit.

“Hap mundësinë për një komunikim të ndërsjelltë, më të shpejtë, informacion që adresohet direkte tek strukturat përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave me synim marrjen e masave disiplinore ndaj personelit doganor që Inspektorati ka gjetur apo propozuar për masa administrative ose edhe kallëzim penal”, deklaroi Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Erisa Spiropali.

Top Channel