Operacioni në Elbasan, ‘luftë’ PS-PD për kokainën

16/01/2015 00:00

Dy selitë më të mëdha politike në vend kanë replikuar sërish duke
akuzuar njëra-tjetrën, pas zbulimit të laboratorit të përpunimit të
drogës në Elbasan.

Përmes Luçiano Boçit, PD i drejtoi disa pyetje qeverisë për lidhjen e funksionarëve të saj me drejtuesit e grupit kriminal, ndërsa socialistët deklaruan se fillimi i aktivitetit të tyre shënohet gjatë qeverisjes së demokratëve.

“A janë anëtarët e kësaj bande kriminale financues të fushatës së Partisë Socialiste? A janë krerët e kësaj bande të lidhur me zyrtarë të lartë të partisë në pushtet dhe sponsorizues edhe në qendrimet jashtë të funksionarëve të lartë, si për shembull në Bruksel? A janë drejtuesit kryesorë të këtij grupimi kushërinj të afërt të ish-deputetit socialist, sot zv.ministër i Ramës? Mungesa e transparencës, mungesa e përgjigjeve i damkos ata si përgjegjës të shndërrimit të Shqipërisë në Kolumbi të drogës nga banditë të lidhur me qeverinë”, deklaroi deputeti demokrat, Luçiano Boçi.

Partia Socialiste reagoi me anë të deputetit Besnik Bare, i cili ngriti pyetjet se përse ky laborator nuk u sekuestrua gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.

“Si është e mundur që gjatë gjithë viteve të qeverisjes së PD një laborator i dukshëm që prodhonte dhe shpërndante drogë, të mund të vepronte në liri të plotë? Është krejt normale që të ketë polemika edhe pse të tepruara ndërmjet qeverisë dhe opozitës, por është anormale që opozita të sulmojë policinë për problematika të tilla si trafiku i drogës dhe krimi i organizuar, problematika të cilat nuk duhet të kenë ngjyrime politike”, deklaroi deputeti socialist, Bare.

Top Channel