Trafiku i kokainës, ngrihen 6 akuza për të arrestuarit

16/01/2015 00:00

Nëntë të arrestuarit e operacionit “Xibraku” do të dalin për masë sigurie në gjykatë, ku ndaj tyre do të kërkohet “arrest me burg” për të paktën gjashtë vepra penale të ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Më e rënda është ajo e “pjesëmarrjes në grup të struklturuar kriminal”, e ndjekur nga akuzat e tjera si “trafikim të narkotikëve të mbetur në tentativë”, “prodhim dhe fabrikim të lëndëve narkotike dhe psikotrope”, “prodhim, tregëtim dhe përdorim të paligjshëm të prekursorëve”, “mbajtjes, prodhimit dhe transportimit të substancave kimike” dhe “prodhim dhe armëmbajtje pa leje”.

Me anë të një njoftimi zyrtar më në fund Prokuroria e Përgjitshhme jep një verision zyrtar mbi hetimet e zhvilluara gjatë kësaj kohe për grupin e trafikantëve që posedonte edhe një laborator të përpunimit të kokainës.

Për prokurorinë, proçedimi penal është regjistruar një ditë pas dërgimit të një letërporosie nga Gjermania, përkatësisht më datë 18 dhjetor 2014, ndërkohë që policia thotë me zëra jozyrtarë se informacioni është dërguar nga gjermanët një muaj më parë, pra në nëntor.

Por gjykata, në rrugë jozyrtare pohon se informacioni është përcejllë nga gjermanët as në dhjetor dhe as në nëntor, por në tetor 2014, çka do të thotë se nuk dihet ende se përse prokuroia i ka nisur hetimet dy muaj me vonesë.

Nga organi qendror i akuzës thuhet se, Gjykata e Hanoverit ka kërkuar të gjurmohet shtetasi Ilir Hyseni, i cili mbante kontakte me Kastriot Imerin, pronar i një servisi automjetesh në lagjen Kombinat.

Nga hetimi i kryer përmes metodave speciale, në këtë servis u gjet një automjet “Mercedes Benz” me ngjyrë gri, i cili rezultoi se do të modifikohej me qëllim trafikimin e një sasie lënde narkotike pas mbërritjes së korrierit, thuhet në dosjen e prokurorisë.

“Në këto kushte policia gjyqësore vazhdoi me vëzhgimin e lëvizjeve të Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, deri sa më datë 13 janar u zbulua se këta shtetas hynin në ish-magazinat e rezervave shtetërore në Xibrakë të Elbasanit. Në këto kushte vazhdoi vëzhgimi i këtyre ambienteve, nga ku rezultoi se përveç tyre atje hynin edhe Kelmend Dalipi, pronari i magazinës, Arjan Dalipi, Gentian Gjonaj dhe Sajmir Batku, i thirrur me nofkën Kinezi”, thotë dosja zyrtare.

Nga vëzhgimet ambjentale ka rezultuar se në laborator hynin edhe dy shtetasit kolumbianë, Cesar Avila dhe Walther Moreno, të cilët sipas sistemit TIMS kanë hyrë në Shqipëri më datë 8 nëntor 2014.

Sipas prokurorisë, më datë 13 janar Ermal Hoxha i mori ata nga magazina në Elbasan dhe i çoi në Tiranë, e po ashtu u interesua edhe për ardhjen e tyre në laborator sërish më 14 janar.

Burimet sqarojnë se droga vinte nga Venezuela, ndërkohë që kontaktet e Hysenit kanë zbërthyer të gjithë rrjetin në Shqipëri. Por për një pjesëtar tjetër të grupit të hetimit, kokaina vinte nëpërmjet aksit Turqi-Bullgari-Maqdoni-Shqipëri, për të ndjekur më pas linjen Itali-Gjermani.

Pjesëtarë të grupit të hetimit thanë se ka dyshime se grupi do ta trafikonte drogën nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Durrësit, nëpërmjet një kompanie tjetër që merrej me tregti mineralesh drejt Italisë. Të paktën kjo e dhënë del nga përgjimet ambientale të të dyshuarve.

Por ndërsa prokuroria deklaron në rrugë jozyrtare se droga ishte e tretur në rroba fëmijësh, burime të policisë thonë se kokaina ishte e tretur në lëkurë, ku nga tharja që i bënin dy kolumbianët ajo do të përpunohej dhe do të bëhej gati për tregun jashtë vendit.

Top Channel