Lejet e ndërtimit, vendimi i Kushtetueses nuk i “zgjidh” duart vendorëve

16/01/2015 00:00

Pavarësisht vendimit të së enjtes nga Gjykata Kushtetuese, e cila hedh
poshtë pjesërisht vendimin e Këshilli Kombëtar të Territorit të gushtit
2014, për pezullimin e lejeve zhvillimore në njësitë e qeverisjes
vendore, në një intervistë për Top Channel Adelina Greca, drejtore e
përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit,
deklaron se Qeveria nuk do të ndalet në dhënien fund të abuzimit në
territorin e vendit.

“Ne do të presim zbardhjen e vendimit dhe arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër dua t’i siguroj qytetarët dhe të gjithë të interesuarit, se Qeveria nuk do të bëjë asnjë hap mbrapa në betejën për ta mbyllur epokën e lejeve të dëmshme për territorin, të cilat kaq shumë e kanë cënuar Shqipërinë dhe cdo bashki për vite me radhë. Ka një ligj të ri planifikimi territori, i cili është miratuar në korrik të 2014, ka hyrë në fuqi në tetor të 2014, por për t’u bërë i zbatueshëm ka nevojë për aktet nënligjore, të cilat nuk janë ende të miratuara. Pra, pa u miratuar këto akte nënligjore, ligji nuk hyn në fuqi dhe si rrjedhojë, lejet e ndërtimit nuk mund të jepen, sepse nuk ka një bazë ku ato të mbështeten”, tha Greca.

Sipas zonjës Greca kjo do të thotë mospërsëritje e praktikës së zakonshme të lejeve për qëllime elektorale, kur na ndajnë vetëm 5 muaj nga vendoret e 21 Qershorit.

“Për periudhën parazgjedhore për herë ka ndodhur kjo, që kryetarët e Bashkive dhe aq më tepër të komunave, të cilët 100 për qind, mund ta dinë ta ardhmen e tyre, tentojnë që të japin sa më shumë leje ndërtimi edhe në zona të cilat nuk duhet të ndërtohen. Sidomos në komuna kanë ndodhur dëme të kësaj natyre, pra komunat janë kthyer në qytete dhe qytetet vuajnë nga mungesa e hapësirave të gjelbërta, të cilën duhet ta kishin në përiferinë e tyre, pra në këto komuna”, tha Greca.

Nga 374 njësi vendore sipas hartës së vjetër territoriale, vetëm 30 kanë paraqitur planet dhe kane marrë leje.

“30 plane janë miratuar në periudhën 2012-2013 dhe dy-plane janë miratuar edhe në vitin 2014. Këto plane janë të miratuara në KKT-ja dhe vendimi i datës 22 gusht 2014, i pezullonte, për arsyen e reformës territoriale. Pra këto plane janë për territore mjaft të vogla, krahasuar me territoret e reja që do të kenë njsitë vendore”, tha Greca.

Drejtoresha e përgjithëshme e AKPT-së thotë se po punohet për Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit ku përfshihen Plani i Zhvillimit rajonal Tiranë-Durrës, sikurse edhe ai për vijën bregdetare nga Derdhja e Bunës deri në Butrint, i cili synohet të përfundojë në shtator të këtij viti.

Top Channel