Dollari nuk ndalet, kalon mbi 120 lekë

16/01/2015 00:00

Dollari amerikan vazhdon të forcohet me ritme të shpejta ndaj Lekut. Të
dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se këtë të premte monedha
amerikane vendosi një rekord të ri shumëvjeçar duke kapërcyer kuotën
120 lekë.

Më saktësisht sipas bankës, një Dollar amerikan po blihet në tregun e brendshëm me 120.7 lekë kur disa muaj më parë këmbehej me më pak se 100 lekë.

Por monedha amerikane nuk është e vetmja ndaj të cilës Leku po humbet vlerë javët e fundit. Të dhënat tregojnë se përjashto Euron, monedha vendase po zhvlerësohet ndaj të gjitha valutave kryesore. Ndaj Paundit britanik monedha kombëtare është dobësuar me 2.5 për qind krahasuar me fillimin e vitit, ndërsa ndaj Frangës zviceriane, zhvlerësimi ka qenë më i fortë, por kjo për shkak të një zhvillimi të pazakontë.

Prej tre vjetësh Banka Qëndrore e Zvicrës praktikisht e mbantë të kontrolluar kursin e frangës ndaj Euros, përmes një tavani duke mos lejuar monedhën zviceriane që të forcohej mbi nivelin 1.2 euro.

Kjo pasi për shkak problemeve në Eurozonë shumë investitorë filluan t’i dërgonin masivish kapitalet e tyre në Euro drejt Zvicrës duke forcuar monedhën zviceriane çka dëmtonte ekonominë e saj. Dy ditë më parë Banka e Zvicrës vendosi ta liberalizojë kursin dhe vetëm brenda një ditë, Franga u forcua me mbi 40 për qind ndaj Euros, një situatë të cilën tregjet e këmbimeve valutore kishin dekada të tëra pa e përjetuar.

Këto zhvillime u pasqyruan menjëherë në tregun vendas ku një ditë më parë Franga u forcua me mbi 15 për qind edhe ndaj Lekut.  Kursi i monedhës shqiptare duket i lidhur ngushtë me atë të Euros. Për pasojë ndërsa Euro në tregjet ndërkombëtare po zhvlerësohet ndaj të gjitha monedhave të tjera, të njëtën tendencë po ndjek edhe Leku.  

Top Channel