Braktiset bypass-i i Shkodrës, asnjë fond nga Qeveria për vitin 2015

16/01/2015 00:00

Përmbytja e qytetit të Shkodrës, e shkaktuar nga rritja e nivelit të
liqenit, solli dëme të mëdha dhe Qeveria në vitin 2012 vendosi për
ndërtimin e bypass-it, i cili do të shërbente si argjinaturë për të
penguar hyrjen e ujërave në qytet.

Punimet nisën me shpejtësi dhe sasi të mëdha inertesh u hodhën në vijën e përcaktuar për ndërtimin e rrugës. Pas vitit 2013, ky bypass nuk është më prioriteti i qeverisë të të majtëve, pasi projekti nuk u mbështet me fonde. Në buxhetin e vitit 2014, por edhe në buxhetin e vitit 2015, nuk u parashikua asnjë fond për vijimin e punimeve. Ndërtimi i bypass-it, i cili është në masën 30 për qind, tashmë ka nisur të degradohet. Argjinatura nuk është ndërtuar dhe në rast se do të kemi përsëritje të reshjeve, qyteti rrezikon sërish të përmbytjet.

Nga vëzhgimi në terren, bypass-i në gjendjen që është lënë nuk kryen asnjë funksion, të paktën në pikat kun prurjet e liqenit mund të futen në qytet, nuk ka asnjë mburojë me argjinaturë dhe kolektor. Inxhiner Ridvan Gjeci shprehet se ky bypass ka nevojë për ndërhyrje dhe duhet të flasën ekspertët, pasi në gjendjen ku është lënë, jo vetëm që nuk mbron qytetin nga përmbytja, por ka prishur ekuilibrat e ekosistemit.

“Praktikisht bypass-i nuk e kryen funksionin, për të cilin është menduar në pjesën e dytë të projektit, meqënëse në pjesën e parë, ka filluar si një segment rrugor, jo si një vepër hidro-teknike. Edhe sikur projekti të zbatohet deri në fund, funksioni i tij për pengimin e përmbytjeve është gjithmonë i dyshimtë, duke patur gjithmonë parasysh mënyrën se si furnizohet liqeni i Shkodrës me ujëra”, tha Gjeci.

Pamja e bypass-it sot ngjason me një shesh ndërtimi të braktisur, ku vendin e makinerive kanë nisur ta zënë mbeturinat që përfundojnë në liqenin e Shkodrës. Ky bypass nga dita në ditë vetëm sa po degradohet dhe i vetmi funksion që po kryen është krijimi i mocaleve dhe grumbullimi i mbeturinave të hedhura nga banorë dhe biznese të zonës.

Top Channel