Kampion i dimrit, në 1/8 e Champions League dhe në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Juventusi është në garë për tre tituj sezonalë, por kapiteni Gigi Buffon duket se sheh më larg se sezoni aktual. Portieri veteran e ka njërin sy nga Botërori i ardhshëm në mënyrë që të hyjë në histori.
Në një intervistë për revistën e bardhezinjve, kapiteni i kombëtares italiane tha: “Duhen më shumë se 3 vite dhe nuk dua të mbaj shpresa të kota, por kam lindur për të qenë një përjashtim. Nëse do të bëhem lojtari i parë që luan 6 Botërorë, do të thotë që në botën e futbollit jam unik.”
Gardiani i portës ka qenë pjesë e Italisë në Botërorët e viteve 1998, 2002, 2006, 2010 dhe 2014 duke e fituar në një rast kompeticionin më të rëndësishëm futbollistik (2006).
Në lidhje me performancat e tij, Buffon thotë: “Jam i kënaqur me atë që po bën skuadra dhe me atë që po bëj unë. Prej kohësh, shumë persona po presin rënien time dhe për këtë arsye jam i motivuar të vazhdoj të paraqitem mirë. Kjo është sfida e vërtetë për mua: të vazhdoj të habis njerëzit së bashku me shokët e skuadrës.”
Top Channel