Turqi, Erdogan paralajmëron për “përplasje mes qytetërimeve”, reagon Franca

16/01/2015 00:00

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar të premten për një “përplasje të re mes qytetërimeve” pas valës së sulmeve të militantëve islamikë në Paris, ndërkohë që ka kritikuar edhe Francën për lejimin e gruas së njërit prej terroristëve që të udhëtonte drejt Sirisë përmes Turqisë.

Erdogan, një musliman i devotshëm sunit, ka akuzuar deri më tani edhe Perëndimin për hipokrizi, pas sulmeve të javës së kaluar kur dy terroristë lanë të vrarë 17 persona, 12 prej të cilëve në ambientet e zyrave të revistës satirike “Charlie Hebdo”. Veç tyre u vranë edhe 3 terroristët.

Duke folur në një takim biznesi në kryeqytetin turk, Ankara, Erdogan tha se “Charlie Hebdo” ka qenë e njohur për publikimet e saj provokuese.

“Jemi duke ndjekur me shqetësim të madh sulmet kundër Islamit, të fshehura pas sulmeve ndaj revistës satirike në Francë”, u shpreh Erdogan, i cili është bërë një zë gjithnjë e më kritik ndaj asaj që ai e konsideron islamofobi të Perëndimit.

“Pavarësisht përpjekjeve tona për ta parandaluar këtë, përplasja mes tezave të qytetërimit duket se po merr jetë”.

“Charlie Hebdo” ka publikuar një sërë karikaturash tallëse me figurat kryesore fetare, përfshi Jezusin, Papa Françeskun dhe Profetin Muhamed.

Edhe numri i parë i nxjerrë në qarkullim pas sulmeve kishte sërish një karikaturë të Profetit, duke provokuar sërish irritime mes disa muslimanëve.

Erdogan shtoi se vendimi i revistës për të hedhur në treg një tirazh prej miliona kopjes nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e shprehjes, ndërkohë që “po terrorizon liritë e të tjerëve”.

Një gazetë turke, e cila ripublikoi pjesë të revistës është vënë aktualisht nën hetim nga prokurorët turq. Pa përmendur emra, Erdogan u duk se shënjestroi edhe autoritetet franceze, për shkak se kanë lejuar Hayat Boumeddiene, gruan e agresorit që mori pengjet në supermarket, të udhëtonte drejt Turqisë në ditët e fundit përpara sulmit, ndërkohë që ajo tashmë është drejtuar për në Siri, siç dyshohet.

“Ata flasin për njerëz që udhëtojnë përmes Turqisë, por fillimisht duhet të mësojnë se si t’i kontrollojnë pasaportat më mirë, kur këta njerëz largohen nga vendi i tyre”, tha Erdogan.

Turqia ka përforcuar sigurinë kufitare pas përballjes me kritika për lejimin e qindra europianëve “që rrezikojnë të kthehen në militantë” të kalonin tranzit drejt vendit fqinj, Siri, e për t’u bashkuar atje me grupet radikale, përfshi këtu edhe Shtetin Islamik.

Ndërkohë, një zyrtar francez ka reaguar këtë javë, duke thënë se bashkëpunimi mes shërbimeve sekrete të Parisit dhe Ankarasë është i fuqishëm dhe theksoi se Turqia nuk duhet të bëhet me faj pse nuk e ndaloi dot Boumeddiene. “Kjo nuk është dhe nuk ka pse të kthehet në një çështje mes nesh, sepse ka ende shumë gjëra që duhet të bëjmë përpara. Ka të tjerë persona, të cilët ne duhet t’i ndjekim, ndaj dhe nuk e bëjmë me faj Turqinë në këtë rast”, tha zyrtari për “Reuters”.

Top Channel