Marine Le Pen: Dënim me vdekje xhihadistëve

16/01/2015 00:00

Liderja e Frontit Kombëtar në Francë, Marine Le Pen mbështet opsionin e dënimit me vdekje për radikalët islamikë, në Francë por dhe në vendet e tjera të Evropës.

“Personalisht, si avokate, mendoj se dënimi me vdekje është një instrument i nevojshëm në arsenalin gjyqësor të një vendi”, ka thënë Le Pen për agjencinë e lajmeve “ANSA”.

Pak ditë më parë ajo kishte propozuar mbajtjen e një referendumi për rikthimin e zbatimit të dënimit me vdekje në kryeqytetin francez, pas sulmeve terroriste.

E ashpër Marine Le Pen u shpreh që ditën e masakrës së 12 anëtarëve të redaksisë së revistës satirike “Charlie Hebdo”.

“Duhet t’i themi mjaft hipokrizisë dhe t’u vëmë gjërave emrin që kanë: kjo është një masakër e përgatitur nga integralizmi islamik”, deklaroi liderja e Frontit Nacional.

I ngjashëm ishte edhe reagimi i babait të saj, Jean Marie Le Pen, i cili u distancua nga solidariteti kombëtar mbi ngjarjen në redaksinë e periodikes satirike duke thënë: “Je ne suis pa Charlie”. (Unë nuk jam Charlie)

Edhe pse dënoi vrasjen e 12 bashkëkombasve, themeluesi dhe kryetari i nderit i Frontit Nacional denoncoi marshimin ndërkombëtar në Paris, duke e cilësuar si “të orkestruar nga mediat”.

“Sot thuhet ‘jemi të gjithë Charlie’ apo ‘unë jam Charlie’. Epo, më vjen keq por unë nuk jam Charlie. Dhe kjo, pavarësisht se jam i shokuar për vdekjen e 12 shtetasve francezë, identitetin politik të të cilëve as që dua ta di, edhe pse mesa di është ajo e armiqve të Frontit Nacional, që kërkoi shkrirjen e saj përmes një peticioni jo shumë kohë më parë”, shkroi Le Pen në blogun e tij.

Top Channel