Greqi, Tsipras kërkon shumicë absolute: Duam qeveri njëngjyrëshe

16/01/2015 00:00

Alexis Tsipras, lideri i partisë Syriza, u ka kërkuar zgjedhësve që të mbështesin partinë e tij për një mazhorancë aq të madhe, sa të mund të formojë një qeveri njëngjyrëshe për të zbatuar programin e tij.

“Na presin ditë të vështira pune. Kemi vullnetin, kurajon dhe vendosmërinë për të nisur betejën për një ndryshim të madh progresist dhe për ta fituar atë”, ka thënë Tsipras.

Ndërkohë, kryetari i Demokracisë së Re, kryeministri Antonis Samaras, është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me të gjitha forcat pro-evropiane.

Kur kanë mbetur edhe 9 ditë nga zgjedhjet e parakohshme në Greqi, sondazhet që zhvillohen pothuajse çdo ditë tregojnë se radikalët e majtë kryesojnë me të paktën 3 pikë më shumë se konservatorët.

Ndërkohë, bankat e mëdha në Europë kanë filluar të marrin masat për një dalje të mundshme të Greqisë nga zona e euros.

Prestigjiozja “Wall Street Journal” njoftoi pak ditë më parë se një sërë bankash të njohura si “City Group” apo “Goldman Sachs” janë duke kryer teste stresi të brendshme, për të parë se si do të ndikoheshin nëse Greqia do të largohet nga eurozona.

Lajmi i mirë që qetësoi tregjet ishte vendimi i Bankës Qendrore Europiane për të zgjatur edhe 6 muaj likuiditetin e bankave greke.

Ky fakt fshiu përkohësisht zërat për një dalje të mundshme të Greqisë nga Eurozona dhe uli nivelin e riskut për bonot greke në tregun sekondar.

Top Channel