Me 145 milionë euro hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, qeveria e Shkupit do të fillojë ndërtimin e segmentit hekurudhor të Korridorit të Tetë drejt Bullgarisë, nga Kumanova deri në Belakovc. Propozimi i qeverisë për marrjen e huasë u mirtua nga Kuvendi me mbështetjen e deputetëve të mazhorancës.

“Kuvendi i Maqedonisë miratoi ligjin për ngarkim me borxh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, sipas marrëveshjes për hua për financimin e projketit për ndërtimin dhe rikontruktimin e aksit ekzistues Belakovs-Kriva Pallankë, pjesë lindore e hekurudhës në Korridorin e Tetë, faza dy”, deklaroi Adrian Xheladini, zv.ministër i Financave.

Opozita shqiptare këtë investim të qeverisë e cilësoi selektiv për shkak se me të favorizohet ndërtimi i segmentit lindor të hekurudhës që lidh Maqedoninë me Bullgarinë dhe lihet në harresë ndërtimi i aksit hekurudhor drejt Shqipërisë.

Deputeti Bekim Fazliu tha se fajtore për këtë padrejtësi është partia e Ali Ahmetit, BDI, që vazhdimisht angazhohet për investime vetëm në zonat maqedonase dhe anashkalon vendbanimet shqiptare.

“Korridori i Tetë është i vetmi shpëtim ekonomik për Maqedoninë, por jo në Kriva Pallankë. U vetmi shpëtim është linja Kërçovë-Linë, që do ta lidhë me portin e Durrësit. Kjo do të ndihmonte që në Maqedoni të hynin edhe investime kapitale, ndërsa do të kishim edhe zhvillime të sektorëve të tjerë si turizmi, kultura dhe sfera të tjera. Por, këto projekte nuk përputhen me politikat servile të partisë suaj”, deklaroi Fazliu duke iu drejtuar deputetëve të BDI-së.

Këta të fundit, që janë pjesë e mazhorancës, kundërshtuan akuzat e opozitës shqiptare duke thënë se partnerët e koalicionit qeveritar kanë platformë të përbashkët për realizimin e projekteve kapitale që janë në të mirë të të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike.

“Një pjesë e këtij projekti, Belakovc-Kriva Pallankë kërkon kontinuitet dhe çdo projekt do të ishte jofunksional nëse në ndonjë pjesë do të ndërpritej. Kjo hekurudhë është një tërësi dhe ajo tërësi duhet të kompletohet në faza të ndryshme”, deklaroi deputeti Ramiz Merko.

Segmenti hekurudhor me gjatësi prej 60 kilometrash që duhet të lidhë Maqedoninë me Shqipërinë nuk pritet të jetë gati para vitin 2022. Shqipëria e ka gati projektin e ndërtimit për pjesën e saj  dhe po pret palën maqedonase për të aplikuar për fondet e nevojshme për këtë projekt të përbashkët që do të kushtojë rreth 350 milionë euro.

Top Channel