Një “Pasdite” me Gëzim Musliakën

16/01/2015 00:00

Personazhi i javës në ‘Pasdite në Top Channel’ ishte njëri nga anëtarët e jurisë së MasterChef-it, zoti Gëzim Musliaka. Në një intervistë të gjatë, ai rrëfeu pasionet e tjera të tij përveç kulinarisë.

MasterChef – Është edicioni i dytë i formatit, një emision që i ka dhënë një dimension shumë interesant gatimit nëpërmjet sfidave dhe provave. Audienca është në rritje dhe kjo tregon që aty njerëzit gjejnë veten. Ne japim edhe mesazhe të mira mbi menaxhimin e kohës dhe produktit gjatë gatimit.

Ndryshimet në edicionin e dytë – Jemi përshtatur dhe ndihemi më mirë, konkurrentët kanë njohuri mbi formatin dhe e dinë se çfarë i pret. E dinë që nuk gjykohen vetëm nga ana profesionale, por edhe ajo njerëzore.

Marrëdhënia me konkurrentët – Janë marrëdhënie normale. Ne e kuptojmë që kanë emocion dhe kanë dëshirë. Ne e vlerësojmë këtë. Ka raste që ndihesh keq kur largon një person që e ka pasion, por kjo është një garë dhe duhet të fitojë vetëm njëri. Ne shikojmë nga mënyra si sillen me produktin, si ndërtojnë marrëdhënien me njëri-tjetrin etj. Ai që merr një “JO” nga neve, nuk do të thotë që nuk duhet të vazhdojë pasionin. Madje, duhet të japë më shumë.

Shefat më të mirë, meshkujt – Burri ka një përqendrim shumë të lartë kur kryen një punë. Efekti kohë është shumë i rëndësishëm në restorant dhe meshkujt arrijnë ta përgatisin pjatën në një minutazh më të shkurtër. Por, ka edhe shefe shumë të mira.

Pasioni për kularinë – Njeriu duhet të dijë të zgjedhë produktin dhe t’i marrë vlerat ushqimore më të mira dhe shijen më të mirë. Që kur është zbuluar zjarri, njeriu e ka kuptuar që çdo gjë është më e mirë kur gatuhet. Unë e kam pasur të natyrshëm pasionin për kulinarinë dhe vendosa të bëja një shkollë në Itali.

Piktura – I kam kushtuar shumë kohë asaj. Në restorant kam vënë shumë piktura të miat dhe e di që klientët i vlerësojnë.

Librat – Kam një bibliotekë të madhe ku kam shumë libra artistikë dhe për kulinarinë.

Top Channel