John Kerry në Paris, ngushëllon francezët

16/01/2015 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry vizitoi Parisin pas kritikave të shumta se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kishin dërguar asnjë përfaqësues të lartë pas sulmeve terroriste atje.

Me kurora lulesh në duar dhe me një frengjishte të rrjedhshme, Kerry mbajti një fjalim në Bashkinë e Parisit, në praninë e kryetares An Hidalgo.

“Franca e di më mirë se kushdo se liria ka çmim, sepse Franca është vendi i origjinës së revolucioneve e ndaj përkushtimi juaj është frymëzim për botën”, deklaroi Kerry.

Kerry vizitoi qendrat e këtyre sulmeve, redaksinë e revistës satirike “Charlie Hebdo” dhe supermarketin hebre.

“Erdha këtu për të ndarë një përqafim me të gjithë Parisin dhe Francën. Doja të shprehja personalisht horrorin dhe neverinë që ndjenë amerikanët për sulmet burracake të cilat morën jetën e njerëzve të pafajshëm”, tha ai.

Më herët sekretari amerikan i Shtetit zhvilloi një takim me presidentin Francois Hollande, me të cilin bëri një paralelizëm të situatës së sulmeve terroriste në Francë me ato të 11 shtatorit 2001, kur Al Kaeda shembi Kullat Binjake në Nju Jork.

Ndërkohë, situata në Paris vazhdon të jetë e tensionuar. Një person i armatosur me kallashnikov e granata mori peng dy persona në një zyrë postare të një lagjeje periferike të Parisit.

Por pas presionit të policisë i liroi dhe u vetëdorëzua. Rezulton se ky akt ka qenë vepër e një të sëmuri mendor dhe se nuk ka lidhje me sulmet e mëhershme të Parisit, ku 17 vetë humbën jetën.

Autoritetet franceze po vazhdojnë hetimet për terrorizmin që ka goditur Francën dhe kanë arrestuar 12 vetë si të dyshuar për mbështetje të mundshme logjistike të terroristëve Amedi Coulibaly dhe vëllezërve Couachi.

Top Channel