Obama-Cameron premtojnë ndihmë maksimale për Francën kundër terrorizmit

16/01/2015 00:00

Presidenti Barack Obama premtoi këtë të premte se “do të bëjnë gjithçka varet prej tyre” për të ndihmuar Francën në përpjekjet e saj për të luftuar terrorizmin, pas sulmeve të ndodhura në Paris që lanë 17 viktima gjatë javës së kaluar.

“Do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka kemi në duar për të ndihmuar Francën të kërkojë drejtësinë e nevojshme, teksa vendet tona janë duke punuar së bashku me zgjuarsi dhe në mënyrë të pandieshme për të parandaluar të tilla sulme”, tha Obama në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Britanisë së Bashkuar, David Cameron, nga Shtëpia e Bardhë.

Konferenca e një spektri të gjerë mbuloi çështje globale, përfshi edhe bërthamoret e Iranit, por edhe atë se çfarë mendon Obama për ish-kundërshtarin e tij, Mitt Romney, i cili po konsideron një tjetër kandidim për një mandat presidencial. “Asnjë koment”, ishte përgjigja e shefit të Shtëpisë së Bardhë duke buzëqeshur.

Duke kundërshtuar kërcënimet fizike të shfaqura prej atyre që sulmuan Parisin, Cameron dhe Obama shpallën këtë të premte një bashkëpunim të ri në luftën kundër sulmeve kibernetike, përfshi edhe “luftrat” kibernetike me qëllim identifikimin e dobësive të rrjeteve bankare.

Cameron ndodhej në Shtëpinë e Bardhë për bisedime bilaterale, të cilat priten të fokusohen kryesisht mbi sigurinë pas sulmeve terroriste të këtij muaji në Paris, si dhe frikës në rritje për celulat terroriste islamike brenda Europës.

Një zyrtar britanik tha se dy vendet do të themelojnë “celula kibernetike” për të shpërndarë informacione dhe për të zhvilluar “një sistem ku vendet dhe shtetet apo organizatat armiqësore të dinë se nuk duhet të na sulmojnë ne”.

Lëvizja e fundit erdhi edhe si pasojë e shkeljeve të profilit të lartë ndaj “Sony Pictures” dhe Komandës Qendrore të SHBA-ve, duke shtuar shqetësimet mbi sigurinë online.

Zyrtarët britanikë shtuan se Cameron udhëtoi drejt Uashingtonit me çështjet kibernetike në qendër të vëmendjes, pasi ai është i shqetësuar se kompani si “Google”, “Facebook” dhe “Twitter” po lejojnë terroristët të përdorin rrjetet e tyre të pambikëqyrur nga organizatat e zbatimit të ligjit. Kompanitë thonë se ekzistojnë të gjitha masat mbrojtëse për t’u siguruar se kriminelët dhe terroristët nuk lejohen të komunikojnë.

Cameron tha në një intervistë për “ITV” se kompanitë teknologjike nuk duhet t’u ofrojnë një “hapësirë të sigurt” terroristëve për të komunikuar dhe për të planifikuar sulme.

Konferenca u shfrytëzua edhe si rasti i parë që Obamës i drejtoheshin pyetje në lidhje me sulmet e Parisit, por edhe dështimit të përfaqësuesve të lartë amerikanë për t’iu bashkuar marshimit të unitetit në Francë, fundjavën e kaluar. Shtëpia e Bardhë deklaroi se kishte bërë gabim që nuk kishte dërguar ndonjë zyrtar me profil të lartë të administratës në atë event.

Top Channel