Nishani dekreton emërimet për Gjykatën e Lartë

16/01/2015 00:00

Presidenti Bujar Nishani dekretoi dy emërimet e tij për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ata janë gjyqtarët Markelian Koça dhe Fuat Vjerdha, të dy, siç thotë presidenti në arsyetimin e tij, me eksperiencë 20-vjeçare në sistemin gjyqësor shqiptar.

Dekretet e presidentit dolën një javë pasi ai ktheu për rishqyrtim në Parlament ligjin për Gjykatën e Lartë. Ai u miratua në fund të sesionit të kaluar me nismën e shumicës qeverisëse dhe i impononte kreut të shtetit përzgjedhjen e kandidaturave për instancën më të lartë gjyqësore pasi ato të kalonin në filtrin e vlerësimit të një këshilli që ngrihej pranë Presidencës.

Mes presidentit dhe krerëve të mazhorancës parlamentare ka patur gjatë kësaj kohe shkëmbim akuzash nëpërmjet letrave, ku secila palë i qëndron pozicionit të vetë të ndryshëm.

Kjo mund të çojë në rrëzimin e dy dekreteve të reja të presidentit Nishani, si dhe të rrëzimit të dekretit me të cilin ai ktheu ligjin në Parlament.

Top Channel