Nxitja e sipërmarrjeve për të rinjtë

16/01/2015 00:00

Ambasada Amerikane ka mbështetur një projekt që nxit sipërmarrjet e të rinjve. Nxënës të shkollës profesionale “Beqir Cela” në Durrës dhe asaj Harry Fultz  kanë sjellë idetë e tyre inovative duke krijuar sipërmarrjet e tyre.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, vlerësoi nisma të tilla duke theksuar se problemi më i madh me papunësinë mbetet tek ata të rinj që kanë përfunduar një unversitet dhe jo ata që kanë frekuentuar shkollat profesionale.

“Papunësia më e ulët te të rinjtë është te ata me arsim profesional. Pra, brenda një situate të vështirë janë më të suksesshëm ata që kanë zgjedhur arsim profesional sesa ata që kanë zgjedhur një arsim të përgjithshëm. Siç është ajo shprehja: janë çirakë të gjithçkaje dhe mjeshtra të asgjëje”, u shpreh ministri.

Ambasadori amerikan Donald Lu tha se Ambasada Amerikane ka mbështetur me një fond prej 90 mijë dollarësh këtë projekt: “Ambasada siguroi një grant prej 90 mijë dollarësh për të mbështetur këto kampe biznesi.”

Në një aktivitet të organizuar me këtë qëllim janë shpërndarë certifikata të ideve fituese si një stilolaps që regjistronte duke i hedhur fjalët në celular apo tablet apo krijimi i një pajisjeje që rrit sigurinë në dush.

Top Channel