Ja detajet e zbulimit të laboratorit

17/01/2015 00:00

Anila Hoxha, gazetare e Top Channel ishte e ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, ku solli detaje mbi hetimet dhe zbulimin e laboratorit të kokainës në Elbasan, i konsideruar si më i madhi në Ballkan.

Mësohet se 9 personat e ndaluar pritet të dalin para trupit gjykues gjatë ditës së sotme. Gazetarja e Top Channel shprehet se në 6 akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda mungon akuza e “drejtimit të grupit të strukturuar kriminal”, pasi sipas burimeve mësohet kemi një tjetër person të shpallur në kërkim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Anila Hoxha flet edhe për versionet se nga vinte dhe si shpërndahej droga që përpunohej në Xibrakë të Elbasanit.

Pandi Gjata: Në çfarë faze të hetimit jemi pas zbulimit të laboratorit të drogës në Elbasan dhe cilat do të jenë veprimet që do të kryhen nga sot për këtë ngjarje?

Anila Hoxha: Duke nisur që nga sot, përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda pritet të dalin të gjithë të ndaluarit e këtij operacioni. Të parët që do të dalin para trupit gjykues janë Ermal Hoxha, Ilir Hyseni dhe dy kolumbianët, për të vijuar më pas edhe me 5 të ndaluarit e tjerë. Në total kanë qenë 11 persona të ndaluar, ndërsa dy nga të ndaluarit u liruan menjëherë me urdhër të Prokurorisë të Krimeve të Rënda, duke qenë se nuk pati prova që i implikonin ata në këtë çështje të trafikut të drogës. Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet që menjëherë të fillojë edhe me veprimet e tjera hetimore, si dërgimi i një kërkese në të gjitha bankat në vend për të verifikuar llogaritë bankare të 9 personave të dyshuar. Gjatë javës së ardhshme do të kemi edhe veprime të tjera hetimore, si verifikimi i pasurive të të ndaluarve. Duke pasur parasysh akuzën, atëherë Prokuroria e Krimeve të Rënda do të procedojë me një kërkesë për sekuestro të pasurive të këtyre personave.

Pandi Gjata:  Cilat janë akuzat e ngritura për këta persona?

Anila Hoxha: Janë 6 akuza, ku më e rënda e tyre është “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, e ndjekur nga akuzat e tjera si “trafikim të narkotikëve të mbetur në tentativë”, “prodhim dhe fabrikim të lëndëve narkotike dhe psikotrope”, “prodhim, tregtim dhe përdorim të paligjshëm të prekursorëve”, “mbajtjes, prodhimit dhe transportimit të substancave kimike”, si dhe “prodhim dhe armëmbajtje pa leje”. Për 9 të ndaluarit nuk kemi akuzën e “drejtimit të grupit të strukturuar kriminal”. Burimet më kanë thënë se kemi një tjetër person të shpallur në kërkim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ky person është një shtetas shqiptar, i cili jeton në Kubë. Po ashtu siç tha edhe drejtori i Policisë, “operacioni vazhdon”, do të kemi edhe persona të tjerë të arrestuar.

Pandi Gjata: Gjatë këtyre tre ditëve, nga e mërkura kur u dhanë detajet e para të këtij lajmi e deri sot është ngjarja kryesore në Shqipëri. Janë dhënë shumë versione dhe detaje, por cili ka qenë itinerari i drogës në Shqipëri dhe si ajo dilte nga vendi jonë për t’u trafikuar në Europë?

Anila Hoxha: Kemi një version që droga vinte nga vendet e Amerikës Latine ku përpunohej në vendin tonë. Nga vëzhgimet ambientale dyshohet se kjo sasi droge do të trafikohej nëpërmjet Portit të Durrësit në Itali me destinacion Gjermaninë. Duhet të kemi parasysh që edhe operacioni është zhvilluar pas një letër-porosie të dërguar nga Prokuroria e Hanoverit. Kemi edhe një version tjetër, i cili është jo zyrtar dhe flet për një linjë të trafikut të drogës nga Turqia drejt Bullgarisë për të shkuar më tej në Maqedoni dhe më pas në Elbasan, ku droga përpunohej nga dy kolumbianët dhe më pas nëpërmjet Italisë shkonte në Gjermani.

Pandi Gjata: A ka një version përfundimtar se kur kanë nisur hetimet sepse ka disa variante dhe mospërputhje midis tyre?

Anila Hoxha:
Pavarësisht që ky ishte një superoperacion, duket se edhe këtë herë Prokuroria dhe Policia nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët. Referuar dy deklaratave zyrtare të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, duket se ato kanë një mosmarrëveshje për datën se kur kanë nisur hetimet, vëzhgimet në lidhje me këtë grup kriminal. Në fillim policia lëshoi një deklaratë, ku thoshte se hetimet kishin disa muaj që kishte nisur, dhe fliste për muajin nëntor kur policia ka nisur me hetimet, vëzhgime dhe ndjekje të personave të dyshuar, ndërkohë që Prokuroria në versionin më të fundit thoshte se procedimi penal është regjistruar një ditë pasi Gjermani kishte dërguar një letër-porosi, përkatësisht më datën 17 dhjetor. Në mënyrë të paprecedent, këtë herë edhe Gjykata e Krimeve të Rënda, në rrugë jo zyrtare jep një version të saj që nuk përputhet me asnjë nga dy versionet e mëparshme të Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit. Gjykata e Krimeve të Rënda thotë në rrugë jo zyrtare se letër-porosia e parë nga prokuroria e Hanoverit ka mbërritur në muajin tetor. Pra, ne nuk kemi deri tani një version përfundimtar derisa këto institucione të gjejnë gjuhen e përbashkët.

Pandi Gjata: Vetëm 3 ditë pas arrestimit të 9 personave të parë kanë mbërritur prokurorë dhe ekspertë gjermanë. A do të jenë ata pjesë e hetimit?

Anila Hoxha: Ata kanë mbërritur të premten ku kanë zhvilluar edhe një takim me prokurorë të Krimeve të Rënda, ku pjesëmarrës ishte edhe kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci. Me sa unë kam mësuar, ata janë interesuar për veprimet hetimore dhe besoj që do të jenë pjesëmarrës në hetime, për sa kohë indicia e të gjithë kësaj çështje ka qenë nga Prokuroria e Hanoverit.

Pandi Gjata: Kemi ndonjë detaj tjetër që nuk e kemi thënë deri tani?

Anila Hoxha: Detajet e tjera besoj do të fillojnë të jenë një betejë gjyqësore gjatë masave të sigurimit. Duke iu referuar disa komunikimeve që unë kisha me avokatët e të dyshuarve, disa prej tyre gjatë dhënies së masave të sigurisë do të kërkojnë masa më të zbutura me argumentin se përgjimet ambientale nuk i çojnë te provat që këta persona të dyshuar janë të implikuar në çështjen e trafikut të drogës. Megjithatë këto janë qëndrime të avokatëve dhe duke pasur parasysh edhe qëndrimin e Prokurorisë, e cila doli me një version zyrtar dhe tregonte të gjitha mekanizmin sesi ishin implikuar të gjithë të dyshuarit, që nga momenti kur autoritetet gjermane thoshin që të vëzhgohet shtetasi Ilir Hyseni, tregohen veprimet e 9 të pandehurve. Versioni i Prokurorisë nis që me hyrjen e shtetasve kolumbianë në vendin tonë në datën 8 nëntor 2014 dhe mënyrën sesi janë angazhuar si shtetasi Ermal Hoxha, po ashtu edhe shtetasi Gentjan Gjonaj në transportimin e dy kolumbianëve nga Elbasani në Tiranë dhe anasjelltas. Gjithashtu tregohen edhe veprimet e të dyshuarve të tjera, të cilët janë marrë me tentativën e tyre për të zhdukur gjurmët e krimit në laborator, por edhe me implikim e tyre në gjetjen e disa armëve në automjete.

Pandi Gjata: Fjala sot është e gjykatës, të tjera detaje do të kemi gjatë ditës së sotme…

Anila Hoxha: Fjala e fundit është e gjykatës për sa kohë do të kemi një masë dhe një qëndrim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, por gjithashtu mendoj që fjala i përket edhe veprimeve të tjera të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda derisa të kemi edhe një emër zyrtar se kush është personi që është shpallur në kërkim dhe jeton në Kubë.

Top Channel