Xhihadistët alarmojnë Europën, rritet numri i të rinjve që rreshtohen përkrah ISIS

17/01/2015 00:00

Duket se kufiri i Turqisë nuk është edhe aq i sigurt, pasi raportet e fundit tregojnë se numri i perëndimorëve që i bashkohen ISIS në Lindjen e Mesme sa vjen edhe shtohet.

Agjencitë e antiterrorizmit  e kanë vlerësuar rrezikun e xhihadizmit si një kërcënim të mundshëm botëror.

Harta tregon numrin e personave të larguar nga Europa drejt Lindjes së Mesme, ku vihet re se Franca ka edhe dominancën e tyre. Sipas shërbimeve sekrete, sulmet e fundit terroriste në Francë, nuk kanë ndikuar në frenimin e xhihadistëve të rinj.

Vetëm pas këtyre sulmeve, në aeroporte të ndryshme të Europës, deri më tani janë identifikuar 5 persona, përkatësisht një vajzë nga Anglia, 2 holandezë, 1 francez edhe një gjerman, të cilët kishin si destinacion Sirinë.

Ndërkaq rrezik të madh përbën edhe kategoria e terroristëve të infiltruar në Europë, pasi kërcënimi i ndonjë sulmi në Perëndim vjen pikërisht nga ata. Sipas CNN, numri i tyre mund të jetë afërsisht nga 120-180 terroristë.

Autoritetet e çdo vendi janë në procese hetimesh për t’i identifikuar e më pas për t’i arrestuar të gjithë personat e lidhur me këto akte barbare. Zyrtarët e Inteligjencës në Evropë po përpiqen  për të përcaktuar natyrën e kërcënimit të mundshëm.

Monitorimi vazhdon edhe për personat që kanë hequr dorë nga luftimet në Lindjen e Mesme dhe janë kthyer në vendet e tyre të origjinës, pasi me shumë gjasa ata kanë informacion lidhur me strategjinë e ndjekur nga ISIS për aktet terroriste.

Top Channel