Filipine, Papa Françesku do të takohet me të mbijetuarit e tajfunit “Haiyan”

17/01/2015 00:00

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Filipine, Papa Françesku do të takohet me të mbijetuarit e tajfuni “Haiyan”.

Ai pritet të vizitojë të shtunën qytetin Tacloban, i cili u shkatërrua thuajse tërësisht në vitin 2013 nga katastrofa natyrore, ku do të flas edhe për ndryshimet e klimës. Papa Françesku do të mbajë edhe meshën në qytetin bregdetar që ndodhet rreth 650 kilometra në juglindje të kryeqytetit Manila.

Në turneun 6-ditor në Azi, Papa vizitoi edhe Filipinet, ku ka rreth 80 milionë katolikë. Me mijëra njerëz janë duke pritur mbajtjen e meshës, para se Papa Françesku të vizitojë disa nga zonat e goditura më keq nga tajfuni, i cili vrau më shumë se 7 mijë njerëz.

Rreth 90 përqind e qytetit të Tacloban në provincën Leyte u shkatërrua dhe më shumë se 14.5 milionë njerëz janë prekur në gjashtë rajone dhe 44 provinca. Rreth një milion njerëz mbeten të pastrehë.

Pavarësisht parashikimeve për një mot me reshje të dendura, drejtuesit e delegacionit janë shprehur se axhenda nuk do të ndryshohet.

Top Channel