Durrës, atentat ndaj biznesmenit nga Kukësi. 12 të shoqëruar

17/01/2015 00:00

Automjeti i një biznesmeni nga Kukësi ka shpërthyer mëngjesin e së shtunës në Durrës, duke u shkatërruar plotësisht. Fatmirësisht, drejtuesi i mjetit ka shpëtuar me dëmtime të lehta.

Shpërthimi me lëndë eksplozive të llojit tritol ndodhi në rrugën dytësore, përgjatë Shkëmbit të Kavajës, teksa shtetasi Ardian Trota, 45 vjeç, po lëvizte me automjetin tip “Benz”, me targë “AA 765 FN”.

Ai sapo kishte dalë nga një shtëpi në pronësi të tijën në bregdet. Nga shpërthimi i fuqishëm u dëmtua edhe një automjet tjetër, i cili ndodhej i parkuar pranë vendit ku shpërtheu mjeti.

Ndërkohë, në orët e pasdites, policia e qytetit bregdetar ka shoqëruar 12 persona në lidhje me atentatin, ndërkohë që hetimet e saj janë fokusuar në pistat e hakmarrjes dhe larjes së hesapeve.

Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se biznesmeni kuksian kishte dalë nga burgu katër ditë më parë, për një dënim për dhunë në familje.

Nga verifikimet e para të policisë rezulton se ndaj Trotës në qershor të vitit 2013 është organizuar një tjetër atentat në lokalin e tij, në Kukës, ku mbeti i plagosur rende së bashku me kunatin e tij. Në atë ngjarje mbeti i plagosur edhe roja e një karburanti aty pranë.

Top Channel