Mbeten në burg të arrestuarit e punishtes së drogës. 4 prej të arrestuarve dolën para gjykatës

17/01/2015 00:00

Një pjesë e grupit të rrjetit të trafikut të kokainës nga Elbasani drejt Gjermanisë iu drejtua të shtunën Gjykatës së Krimeve të Rënda për vlerësimin e masës së sigurisë.

Në përfundim, të katër të akuzuarit u lanë në “arrest me burg” për shkak edhe të provave të mjaftueshme që prokuroria dërgoi në gjykatë, ku përfshiheshin edhe përgjimet jo vetëm telefonike.

Masa e parë e dhënë nga gjyktësja Liljana Baku ishte për Ilir Hysenin, i konsideruar edhe si njeriu kyç dhe drejtuesi i grupit të strukturuar kriminal në bazë edhe të dyshimeve të ngritura nga organi i akuzës.

Hyseni u mbrojt nga avokati i dhënë nga shteti dhe pranoi arrestin me burg, duke deklaruar se do të fliste më vonë gjatë procesit hetimor.

Pas tij, gjykatësit iu drejtuan me radhë dy shtetasve kolumbianë të përfshirë në këtë trafik droge, Cesar Avila dhe Walther Moreno, të cilët u arrestuan në flagrancë në Elbasan si pjesëtarë të bandës.

Seanca e tyre, ashtu si edhe dy të tjerat, ka qenë pa praninë e mediave. Kolumbianët rezervuan të drejtën për të folur përpara gjykatës.

I fundit ka qenë personazhi më i lakuar edhe nga politika shqiptare në dy ditët e fundit, nipi i diktatorit Hoxha. Ermal Hoxha ishte i vetmi i pandehur që kërkoi lirimin e tij përmes pretendimeve se nuk ishte i përfshirë në këtë trafik.

Ai tha se shoqërohej me të akuzuarit e tjerë dhe nuk kishte lidhje me rrjetin e tyre. Avokati i tij tha për mediat se, Ermal Hoxha është një i ri i papunë që shërbente si taksist për të pandehurit.

“Ai ka shoqëruar dy kolumbianët, duke e paguar ata si taksist. Kjo nuk përbën vepër penale dhe nisur nga kjo unë kërkova që arrestimi të konsiderohet i paligjshëm dhe që masa “arrest me burg” të bëhet “detyrim paraqitjeje”. Ne do kërkojmë në të gjitha shkallët e gjyqësorit të drejtat tona ligjore. Nuk është e vërtetë se Ermal Hoxha ka lëvizur nëpër Shqipëri apo në Tiranë me “Ferrari”, Ai është i papunë, i pashtëpi dhe me jeton me qera”, deklaroi avokati Esat Haderaj.

Të dielën në Gjykatën e Krimeve të Rënda pritet të dalin edhe pesë të pandehurit e tjerë të kësaj organizate kriminale.

Top Channel