PD: Përse nuk e zbuloi policia laboratorin. Reagon PS: Opozita qesharake

17/01/2015 00:00

Partia Demokratike i kërkoi Kryeministrit Edi Rama të përgjigjet për
arsyet përse autoritetet shqiptare nuk e zbuluan laboratorin më të madh
të drogës në rajon pa ndërhyrjen e autoriteteve gjermane.

Sipas opozites deklarimi publik i Prokurorise se Krimeve te Renda se gjithçka nisi nga informacioni i partnereve europiane pergenjeshtron perpjekjet e Edi Rames per te privatizuar suksesin e operacionit.

“Sa më shumë kohë kalon pa bërë transparencë për lidhjet që kanë trafikantët me qeveritarët, aq më shumë damkoset Edi Rama për dijeninë dhe lejimin e këtij aktiviteti kriminal që do të kishte vazhduar njësoj si ditën e parë, po të mos ndërhynin policitë partnere europiane.Si ka mundësi që ushtronte prej një viti aktivitetin një fabrikë e tillë, dhe autoritetet kishin mbyllur sytë e veshët?A janë anëtarët e kësaj bande kriminale financues të fushatës së Partisë Socialiste? A janë krerët e kësaj bande të lidhur me deputetë e zyrtarë të lartë të partisë në pushtet?” u shpreh deputeti i Partisë Demokratike, Eduart Halimi.

PS: Policia goditi trafiqet, opozita qesharake

Partia Socialiste i është përgjigjur akuzave të PD lidhur me laboratorin e drogës pranë Elbasanit. Në një deklaratë për mediat, deputeti Ervin Bushati i konsideroi si absurde akuzat e opozitës ndaj policisë dhe i kujtoi asaj se kur ishte në pushtet nuk lëvizi as gishtin e vogël për të luftuar trafiqet.

“Opozita vijon të bëhet çdo ditë e më qesharake me akuzat ndaj Policisë së Shtetit. Akuzon policinë pse sekuestroi laboratorin në Elbasan, sikurse e akuzoi pse çliroi Lazaratin nga kanabisi. Kjo është e vetmja opozitë në botë që akuzon policinë pse ndalon kriminelët dhe qeverinë pse lufton trafiqet. Dhe kush flet, PD, që në qeveri kishte të gjitha informacionet mbi trafiqet në Lazarat dhe nuk lëvizi as gishtin e vogël për të ndërhyrë”, deklaroi Bushati.

Dalipi: Opozita, fushate balte ndaj emrit tim

Ndërkohë, Alfred Dalipi zevendës ministër i Zhvillimit Urban dhe Turizmit, në një reagim thotë se, “përfshirja në listen e të ndaluareve nga policia për trafikun e drogës të personave që mbajnë mbiemrin tim i ka dhënë shkas opozitës të hedhë insinuata balte ndaj meje dhe familjes sime”.

Dalipi thotë se, nëse dikush, jo vetëm nga organet hetimore, gjen qoftë dhe një lidhje mes tij dhe të ndaluarit, qoftë edhe anësore, ndonjë telefonatë, kontakt fizik lidhur me këtë histori, është gati të përballet me të gjitha pasojat ligjore dhe politike. Dalipi ishte akuzuar nga opozita për lidhje me të arrestuarit për trafik droge në Elbasan. 

Top Channel