Kamera e TCH hyn në laboratorin e drogës në Xibrakë

17/01/2015 00:00

Për organet e hetimit, laboratori më i madh i përpunimit të drogës së sekuestruar së fundmi do të vijojë të jetë për një kohë të gjatë një vendngjarje e rëndësishme.

Për mënyrën se si është investuar gjithçka në këtë ndërtesë ngjan e menduar mirë. Përveç portës së madhe hyrëse, aty ka edhe një derë të vogël, mbase për t’u larguar nga situata të paparashikuara.

Në ndërtesë kryheshin edhe veprime të tjera që të mos dilnin nga rutina e zonës. Në krahun lindur të magazinës grumbulloheshin bimë medicinale, në krye të saj mbaheshin bagëti, ndërkohë që në hyrjen kryesore një banesë e vogël është përshtatur për prindërit e dy nga të arrestuarve, të cilët çdo ditë kujdeseshin për shpendët.

Pjesa perëndimore ku edhe ndodhen policët është zona “mos prek”. Aty ndodhet laboratori. Dhjetëra fuçi me kimikate, po ashtu bidonë të mbushur me substanca të ndaluara, tre sita gjigante të sajuara e të vendosura pas muri, fuçi të mbushura me pastë kokaine, thasë të evidentuar me drogë e mbi të cilat pas këqyrjeve grupi i hetimit ka vendosur shenjat identifikuese.

Që nga dera, aspiratorët dhe gjithçka tjetër që ndodhet në këtë ambjent është një provë që tregon se si funksiononte ky laborator droge.

Puna ka ngelur në mes. Kokaina, e cila pasi është situr, ka mbetur në fuçi mbi baonjo mari. Diku përtokë ka çarçafë që janë përdorur gjatë procesit për shtrydhje të lëndës e janë konsideruar të panevojshëm për më tej.

Po ashtu, në një tavolinë ndodhen edhe mjete që verifikonin cilësinë se sa e pastër dilte kokaina. Për ata që punonin këtu ka pako qumështi dhe lëngje të ndryshme në mënyrë që të dezintoksikoheshin.

Ngjitur me dhomën e madhe, një e çarë në mur tregon se përtej ka edhe një dhomë tjetër. Nuk mungon edhe një peshore droge dhe lëndë tretëse që përdoreshin për përgatitjen e fundit të kokainës.

Top Channel