Pirlo lëshon alarmin për klubin ku u rrit: Shpëtoni Brescian!

18/01/2015 00:00

Fantazisti i Juventusit Andrea Pirlo, jo vetëm që jep maksimumin për ekipin ku aktivizohet, ashtu siç ka bërë në të kaluarën edhe te Milani, por mendon edhe për një ish-ekip të tijin, Brescia, që është përfshirë në një krizë të thellë e që rrezikon edhe qëndrimin në Serie B.

Nuk është thjesht çështje mirënjohjeje, për shkak se në atë ekip ka kaluar një pjesë të jetës së tij, por me atë fanelë në fakt u hodhën bazat e talentit të tij dhe aty u shkrua historia e së ardhmes: mbi atë fanelë ishte shkruar fati i tij për t’u bërë një nga lojtarët më të mëdhenj të Italisë.

Sot, Andrea Pirlo nuk ka vetëm fjalë, por ka nisur edhe veprat, duke zbritur në fushë për të shpëtuar Brescian nga falimentimi. Atje, në ekipet e moshave, ai është rritur dhe gjatë viteve 1994-’98 mesfushori i jashtëzakonshëm shfaqi talentin e tij. “Po vuaj shumë teksa shoh skuadrën për të cilën s’do të rresht së bëri tifo, në këto kushte ku ka përfunduar”.

Klubi lombard është në prag falimenti, ndërkohë që ylli i Juventusit dhe kombëtares “axurre”ka nisur impenjimet për të gjetur sa më shpejt sipërmarrës në gjendje për ta shpëtuar shoqërinë futbollistike.

“Kam folur me njerëz të rëndësishëm, njerëz që kanë vërtet peshë në këtë moment”, është përmbajtja e një mesazhi të shkruar nga Pirlo për gazetarët e “Giornale di Brescia”, e cila ka publikuar edhe të dhëna të hidhura në lidhje me fatet e klubit. Një SMS që vazhdon me “Duhet të dini se më dhemb zemra për fatet e Brescias, po vuaj shumë për ekipin që më rriti, për skuadrën që ende bëj tifo. Besoj se kam bërë gjithçka mundem dhe varet te potencialet e mia, duke folur me shumë njerëz që mund të ndihmojnë në këtë aspekt. Nuk do të heq dorë deri sa ta shpëtoj ekipin tim, ndërkohë që tashmë duhet të mposhtim të gjithë bashkë Frosinonen”, referuar ndeshjes së radhës që Brescia kishte në Serie B ditën e shtunë, e që në të vërtetë ashtu ka ndodhur.

Top Channel