Durrës, sekuestrohen C4 me celular. 4 të arrestuar pas shpërthimit ndaj Trotës

18/01/2015 00:00

Shpërthimi i automjetit të një personi me precedentë penalë, mëngjesin e së shtunës te zona e Shkëmbit të Kavajës, ka përshpejtuar goditjen e një grupi të rinjsh, prodhues e trafikues të bombave me lëndë plasëse të llojit tritol, në Durrës.

4 persona u arrestuan natën e së shtunës për trafik të lëndëve eksplozive, ndërsa u sekuestruan 3 bomba me lëndë eksplozive C4 të montuara me celular, së bashku me mjete të tjera për prodhimin e këtyre minave, si nastro, tela elektrikë, kaçavida, telefona celularë etj.

Operacioni i koduar “Twix” u organizua nga Sektori për Trafiqet dhe Narkotikë, në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me njësinë operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe Prokurorinë për Krimet e Rënda.

Si rezultat i një hetimi dymujor u kapën dhe arrestuan Febjus Dauti, 31 vjeç, lindur në Has dhe banues në Durrës; Dashnor Dumani, 30 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Durrës, si dhe dy shtetasit nga Durrësi Asllan Plaku dhe Bledar Plaku, përkatësisht 24 dhe 31 vjeç.

Të arrestuarit dyshohen se prodhonin dhe trafikonin bombat me tritol të komanduara në distancë përmes thirrjeve telefonike, ndërsa po hetohet nëse ata kanë lidhje me shpërthimin e mjetit të Ardian Trotës, i njohur dhe si “i forti i Kukësit”.

Gjatë 24 orëve të fundit, policia ka shoqëruar dhjetra persona në funksion të zbardhjes së ngjarjes, ku mbeti i plagosur por jashtë rrezikut për jetën shtetasi Trota, i cili i shpëtoi një atentati të tretë organizuar ndaj tij vitet e fundit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, hetimet për ngjarjen janë përqëndruar në pistën e hakmarrjes, pasi i dëmtuari njihet si person me konflikte të hapura brenda dhe jashtë vendit.

Top Channel