Greqia: S’ka prova që lidhin të arrestuarit me komplotin belg

18/01/2015 00:00

Policia greke ka bërë të ditur se nuk ka gjetur asnjë provë, që t’i lidhë personat e arrestuar në Athinë gjatë së shtunës, me një komplot të dështuar islamik kundrejt policisë belge.

Në Athinë janë ndaluar mbi 6 persona nga policia, ndërkohë që të dhënat e tyre të ADN-së do t’u dërgohen homologëve belgë. E gjitha kjo ngjarje ka nisur pas transmetimeve nëpër rrjetet televizive belge, të cilat kanë cituar autoritetet e Brukselit të thonë se janë vënë në kërkim të një belgu me origjinë marokene, i cili është fshehur në Greqi.

“Nuk kemi identifikuar asnjë të tillë, të lidhur me komplotin belg, mes personave të ndaluar deri më tani”, tha një zyrtar i lartë i policisë greke për “Reuters”.

Të enjten, policia vrau 2 agresorë gjatë mësymjeve të forcave speciale në Verviers, në lindje të Belgjikës. 13 të dyshuar u arrestuan anembanë vendit, ndërsa dy të tjerë janë ndaluar nga policia e Francës me kërkesë të asaj belge.

Top Channel