Manila, Papa Françesku: Mos jini “macho”, dëgjojini më shumë gratë

18/01/2015 00:00

Papa Françesku u ka bërë thirrje këtë të diel meshkujve, t’u kushtojnë më shumë vëmendje ideve të grave, e të mos bëhen paragjykues ndaj seksit të kundërt.

Ati i Shenjtë me origjinë argjentinase ka bërë këto deklarata gjatë një tubimi me të rinj në universitetin katolik të kryeqytetit të Filipineve, Manila, pasi vuri re se 4 nga 5 personat që e pyetën atë në skenë ishin meshkuj.

“Ka një përfaqësim shumë të vogël të femrës këtu, shumë pak”, tha ai, duke bërë turmën të qeshte. “Femrat kanë shumë për të thënë ndaj nesh në shoqëritë e sotme. Ndonjëherë, ne meshkujt jemi shumë ‘agresivë’”, tha ai, duke përdorur termin spanjoll “machista”, që i referohet “shovinizmit mashkullor”.

“Shpesh ne nuk lejojmë hapësira për gratë, por ato janë të afta t’i shohin gjërat nga një tjetër këndvështrim krahasuar me ne, me një tjetër sy. Femrat janë të afta të bëjnë pyetje, të cilat ne meshkujt e kemi të vështirë t’i kuptojmë”, vijoi më tej Papa Françesku.

Ati i Shenjtë vuri re vetëm një vajzë 12-vjeçare mes 4 meshkujve, e cila i bëri atij pyetjen më të vështirë: e pyeti përse Zoti lejon braktisjen e fëmijëve…

Papa e përfundoi këtë pjesë të deklaratave momentale me një shaka: Ndaj, kur Papa i ardhshëm të vijë në Manila, ju lutem lejojeni atë të gjejë më shumë gra mes jush.

Megjithatë, Françesku ka bërë këtë promovim të gruas në një kohë kur ndalimi i Kishës katolike Romane ndaj priftëreshave është i pakthyeshëm, ndërsa Ati i Shenjtë do të kërkojë të emërojë më shumë murgesha apo gra të tjera në pozita të larta të Vatikanit.

Top Channel