Haga nis hetimet për krime lufte, Izraeli lobon për ndaljen e financimeve

18/01/2015 00:00

Izraeli ka nisur lobimin ndaj shteteve anëtarë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale të Hagës, të ndërpresin financimin e këtij tribunali, në kundërpërgjigje të nisjes së një hetimi ndaj krimeve të mundshme të luftës në territoret palestineze.

Prokurorët e ICC-së me seli në Hagë bënë të ditur gjatë së premtes se do të hetojnë “në pavarësi të plotë dhe paanshmëri” krimet që mund të jenë kryer atje që prej 13 qershorit të vitit të kaluar. Kjo do t’i lejojë gjykatës të kërkojë të dhëna mbi luftën mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit në Gaza, gjatë korrik-gushtit të vitit 2014, nga ku mbetën mbi 2100 palestinezë viktima dhe 70 izraelitë.

Vendimi erdhi pasi Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, në mungesë të bisedimeve për paqe dhe pavarësisht kundërshtimit të fortë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, kërkoi anëtarësimin në Gjykatën e Hagës, që pritet të hyjë në fuqi më 1 prill.

Izraeli, i cili ashtu sikurse Shtetet e Bashkuara nuk është i anëtarësuar në ICC, shpreson të ndalë financimet për këtë gjykatë, financim që është i ndarë mes 122 shteteve anëtarë në përputhje me përmasat e ekonomive të tyre, bëri të ditur ministri i Jashtëm në detyre i Izraelit, Avigdor Lieberman, këtë të diel.

“Do të kërkojmë nga miqtë tanë në Kanada, Australi dhe në Gjermani, thjesht të ndalin financimin e kësaj gjykate”, tha ai për një radio izraelite. “Kjo trupë nuk përfaqëson askënd, thjesht është një trupë politike, – shtoi ai. – Ka edhe disa shtete të tjera (nga të cilat kam marrë telefonata) që mendojmë gjithashtu se nuk ka më asnjë justifikim për ekzistencën e kësaj trupe juridike”.

Ai njoftoi gjithashtu se do ta ngrinte këtë çështje edhe kur të priste homologun kanadez, John Baird, ditën e diel në Izrael. Një tjetër zyrtar izraelit tha për “Reuters” se një kërkesë e ngjashme i është dërguar Gjermanisë – tradicionalisht një prej mbështetësve më të fuqishëm të gjykatës – e gjithashtu do t’i dërgohet edhe kryeministrit japonez, Shinzo Abe, i cili po viziton gjithashtu Jeruzalemin, vendi i të cilit është një nga kontribuesit më të mëdhenj të ICC-së.

Grupi islamik i Hamasit, i cili konsiderohet si grup terrorist nga Izraeli dhe Perëndimi, mirëpriti gjatë së shtunës hetimin e Gjykatës së Hagës dhe tha se është i gatshëm t’i ofrojë asaj prova materiale për akuzat kundër shtetit hebre.

Top Channel