PD denoncon deputetin Kapurani për mospagim fature energjie

18/01/2015 00:00

Duke denoncuar atë që selia blu e konsideron pabarazi përpara ligjit, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka dalë në një konferencë për mediat me një faturë energjie në duar, e cila sipas tyre i përket deputetit biznesmen Pirro Kapurani, i njohur si pronar i një fabrike tjegullash e tullash.

Ndryshe nga qytetarët e pamundur, siç i cilëson PD-ja, të cilët gjenden në errësirë apo burgjeve edhe për shuma të vogla parash të papaguara për energjinë elektrike, deputeti Kapurani nuk preket edhe pse ka 205 mln lekë energji të papaguar.

“Shiheni këtë faturë të energjisë. Subjekti në fjalë ka 205 milionë lekë detyrime ndaj shtetit. Është fabrikë tjegullash dhe tullash në Korçë. Çfarë ka ndodhur me pronarët? A janë përballur ata me ligjin? A u është ndërprerë energjia? Jo, nuk ka ndodhur asnjëra nga këto, sepse njëri nga pronarët, më kryesori, Pirro Kapurani, është në Parlament. Është miku i Edi Ramës dhe Ilir Metës, është sponsori i fushatës së tyre dhe është aktualisht deputet i LSI-së. Ligji me Edi Ramën nuk vepron njësoj për të gjithë, kjo është kuptuar tashmë. Detyrimit 205 milionë lekësh i është shtuar edhe fatura e dhjetorit, që është afërsisht 17 milionë lekë. Kjo tregon se fabrika e tjegullave të mikut të Edi Ramës dhe Ilir Metës, të deputetit të tyre, vazhdon të punojë. Vjedhin vetë energjinë, me shuma që qytetarët as nuk i kanë ëndërruar, pastaj dalin e akuzojnë popullin. Kjo pabarazi para ligjit është skandaloze dhe mban firmën e Edi Ramës”, u shpreh deputetja demokrate Albana Vokshi.

Top Channel