Vdes pas 3 ditësh radhazi duke luajtur në kompjuter

18/01/2015 00:00

Një burrë është gjetur i vdekur në një internet-kafe në Tajvan pasi kishte kaluar 3 ditë radhazi duke luajtur video-lojëra. Burri me mbiemër Hsieh është gjetur pa jetë para kompjuterit ku për 72 orë radhazi kishte luajtur “online”.

32-vjeçari ishte parë nga klientët e tjerë që po qëndronte pa lëvizur në karriken e tij, por kishin menduar se thjesht po flinte. Kur njëri nga stafi shkoi ta kontrollonte, vuri re që nuk po merrte frymë dhe lajmëroi ambulancën, por ishte tepër vonë.

Punonjësi i internet-kafesë i cili e gjeti, tha për ‘Taipei Times’: “Hsieh ishte një klient i rregullt te ne dhe gjithmonë luante shumë gjatë. Kur lodhej, flinte gjumë para kompjuterit dhe për këtë arsye ne nuk na bëri përshtypje në fillim.”

Mjekët deklaruan se burri vdiq nga një atak kardiak që erdhi nga “qëndrimi për një kohë të gjatë para kompjuterit”.

Top Channel