Milani mposhtet sërish në “San Siro”

18/01/2015 00:00

Milani i drejtuar nga Filippo Inzaghi ka koleksionuar një tjetër humbje dhe sërish në “San Siro”. Këtë herë ishte Atalanta që me një gol të vetëm arriti t’i merrte tri pikët kuqezinjve në shtëpinë e tyre.

Me një lojë të kontestuar gjatë nga të pranishmit në stadium, Milani pësoi gol që në pjesën e parë dhe nuk arriti të realizonte deri në fund të takimit. Autor i golit të vetëm për miqtë ishte Denis, i cili realizoi në minutën e 33-të.

Me këtë humbje Milani zhytet në një krizë rezultatesh në kampionat, ku fitorja e fundit ishte ajo ndaj Napolit më 14 dhjetor. Tashmë ata përfundojnë në vendin e 10-të duke u larguar ndeshjesh nga objektivat e këtij sezoni.

Ndërkohë në ndeshjet e tjera të ditës së diel në Serie A pati një bollëk golash, ku Genoa-Sassuolo përfundoi 3-3, Udinese-Cagliari 2-2, Cesena-Torino 2-3, Chievo-Fiorentina 1-2, ndërsa Parma u mposht në shtëpi nga Sampdoria 0-2.

Top Channel