Një tjetër automjet shpërthen në qytetin e Durrësit

18/01/2015 00:00

Automjeti i një emigranti u dëmtua nga një shpërthim eksplozivi pasditen e së dielës në plazhin e Durrësit.

Ngjarja ndodhi në sektorin “Hekurudha”, prapa shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri”. Automjeti tip “Volvo” me targë AA262 JX pësoi dëmtime në pjesën e përparme. Makina ishte në pronësi të shtetasit Julian Tuku, një 37-vjeçar emigrant në Angli.

Forca dhe drejtues të policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes ku janë kryer dhe veprimet e para procedurale për dokumentimin e zbardhjen e ngjarjes. Në pyetje janë marrë familjarë të Tukut dhe banorë të zonës, si dhe janë marrë filmimet e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth.

Nga shkalla e dëmtimit, akti kriminal interpretohet nga ekspertët si një mesazh kanosës ndaj pronarit të mjetit. Mëngjesin e së shtunës, një tjetër automjet, ai i shtetasit Ardian Trota nga Kukësi shpërtheu teksa ishte në lëvizje në rrugën dytësore Golem-Plepa, pranë Shkëmbit të Kavajës.

Top Channel