Zgjedhjet parlamentare në Greqi, radikalët e majtë udhëheqin me 3%

18/01/2015 00:00

Për disa ditë grekët do të drejtohen tek kutitë e votimit për të zgjedhur qeverinë e tyre te ardhshme, në një moment kur Greqia edhe një herë është në një udhëkryq, me një ekonomi të brishtë dhe të ardhmen e saj në Eurozonë tepër te diskutueshme.

Megjithëse në garë janë 18 parti dhe 4 formacione politike grekët nuk kanë zgjedhje të shumta dhe janë në dilemë, pasi ka shumë vite që kanë humbur besimin në sistemin e tyre politik dhe janë distancuar prej politikanëve.

Rreth 12-17% e votuesve shprehen të pavendosur se për kë do të votojnë, një shifër jo e madhe, por që do të luajë rol vendimtar pasi radikalët e majtë udhëheqin me diferencë të ngushtë prej 3% ndaj konservatorëve në sondazhet e fundit.

 “Çdo gjë që Syriza e portretizon si programin e saj e bën pasi është koha e fushatës. Ajo ka bërë premtime për të marrë vota, por programi i saj vuan nga mungesa e eksperiencës dhe papërgjegjshmëria. Te Syriza, ashtu si edhe te partitë e tjera, ekziston një hendek i madh mes asaj që konsiderohet si interes publik dhe asaj qe do të bëjnë realisht kur të vijnë në pushtet”, shprehet analisti politik, Giorgos Kontogiorgis.

Në një përpjekje për të fituar mbështetjen e të pavendosurve, Kryeministri Samaras, duke ndryshuar taktik nuk po përqendrohet më në teorinë se Syriza paraqet një rrezik, por po shpalos planin e partisë së tij, Demokracia e Re, që fokusohet në reformat dhe zhvillimin.

Nga ana tjetër radikalët e majtë kanë adoptuar një qasje më pro-europiane, por me ambicie që shkon përtej kufijve të vendit, pasi me ardhjen në fuqi të tyre shpresojnë të shkaktojnë një lëvizje kundër masave shtrënguese në gjithë vendet e Europës jugore që përballojnë krizë, duke i dhënë fund rolit dominues të Gjermanisë në menaxhimin e Eurozonës.

“Ne nuk duam të bëjë veprime të njëanshme në lidhje me borxhin. Duam që të diskutojmë me partnerët, të negociojmë.  Ne jemi të gatshëm jo që të shkatërrojmë Eurozonën dhe euron, por jemi një forcë progresive pro-europiane. Duam të shpëtojmë euron, por njëkohësisht edhe popullin tonë”, shprehet Dimitris Papadimoulis, deputet i Syriza-s.

Një pjesë e konsiderueshme e analistëve theksojnë se planet e radikalëve të majtë janë joreale dhe të rrezikshme pasi ende nuk kanë shpjeguar se ku do të gjejnë paratë për të zbatuar politikat e tyre pa e rrezikuar ekonominë, e cila varet në këtë moment nga huadhënësit e huaj.

Nga ana tjetër duket se shumica e grekëve në dilemë, nuk mund të durojnë me masat shtrënguese dhe reformat që nuk dhanë asgjë realisht për ta në dy vitet e fundit përveç se papunësi, rritje taksash dhe recension.

Top Channel