Mesha e Papa Françeskut në Filipine, 6 milionë njerëz të pranishëm

18/01/2015 00:00

As shirat e rrëmbyeshëm në Filipine nuk i ndaluan 6 milionë njerëz të ishin pjesë e Meshës së Papa Françeskut të organizuar në kryeqytetin Manila.

Në fundin e turit të tij në kontinentin aziatik, Ati i Shenjtë i dha bekimin e tij popullit filipinas. Pjesëmarrje e tillë rekord nuk ishte parë që në vizitën e Papa Gjon Palit të 2-të në vitin 1995.

Të pranishmit u shprehen se shiu ishte si uji i shenjtë i bekimit që morën nga Papa Françesku.

Disa njerëz kishin ngritur kampe me çadra gjatë natës për të patur mundësinë të shihnin Papa Françeskun që në orët e para të ditës së diel.

Turmat këndonin si edhe brohorisnin, teksa Papa me makinën e tij ndalonte në pika të ndryshme për të përshëndetur dashamirësit. Vizita e Papa Françeskut shërbeu si mbështetje për thuajse 80 milionë besimtarë katolikë të Filipineve.

Ati i Shenjtë mbajti takime me udhëheqësit fetarë, me familjarët e prekur nga tajfuni i fuqishëm i vitit 2013, si edhe me familjet e pastreha.

Vizita e Papa Françeskut u cilësua si një ngjarje historike, e cila për vendasit vjen vetëm njëherë në jetë. Ndaj Filipinet i kanë shpallur ditët e qëndrimit të kreut të Vatikanit atje si festë kombëtare.

Top Channel