Nafta, 10 lekë/litër më “shtrenjtë”

19/01/2015 00:00

Rënia drastike e çmimit të naftës në bursat botërore dhe përcjellja e paktë e tij në tregun e brendshëm shqiptar ka hapur debatin e fortë se, cilat janë arsyet që konsumatorët shqiptarë nuk po përfitojnë si fqinjët e tyre?

Ky është një debat që ka përfshirë jo vetëm politikën, por edhe mbarë opinionin publik, mbi atë nëse janë taksat e larta arsyeja që çmimi nuk bie apo kontrolli i tregut nga monopolet. Por çfarë tregojnë të dhënat?

Top Channel sjell një krahasim të kryqëzuar të shifrave zyrtare nga Drejtoria e Doganave dhe Instituti i Statistikave. Përkatësisht, koston me të cilin nafta del nga dera e doganës pasi janë shlyer të gjitha detyrimet tatimore dhe çmimin me të cilin ajo i është shitur konsumatorëve në treg.

Sipas të dhënave në muajin qershor të vitit të kaluar, kostoja e daljes së naftës nga dogana pas shlyerjes së detyrimeve ka qenë 168.5 lekë për litër.

Për të njëtin muaj sipas INSTAT, çmimi me të cilin tregtarët e kanë shitur naftën në treg ka qenë 183 lekë për litër, duke patur një diferencë prej 14.5 lekë për çdo litër naftë. Diferenca ka qenë e njëtë edhe në korrik, përkatësisht 14.6 lekë për litër.

Por pas këtij muaji ajo ka filluar të rritet. Më saktësisht në dhjetor, kur në bursën ndërkombëtare nafta pati rënë ndjeshëm, diferenca mes çmimit të shitjes në treg dhe kostos me të cilën tregtarët e kanë nxjerrë nga dogana naftën, ka qenë gati 10 lekë për litër, saktësisht 9.6 lekë për litër më e lartë se sa ishte në qershor.

E thënë ndryshe, nëse do të kishin mbajtur të njëtin marzh fitimi, ashtu si në qershor, kompanitë e naftës duhet ta kishin ulur çmimin në treg edhe me 9.6 lekë të tjera në dhjetor, përkatësisht nga 166.8 lekë që ka qenë në 157.2.

Por nuk e kanë bërë këtë duke mbajtur fitime më të larta. Sipas shifrave të INSTAT dhe doganave, krahasuar me qershorin, shifra 9.6 lekë është lehtësimi që tregtarët nuk kanë përcjellë në treg. Por përtej sjelljes së tregtarëve, arsyeja kryesore se pse çmimi nuk bie në treg janë taksat.

Aktualisht taksat përbëjnë rreth 60 për qind të totalit të çmimit. Përveç TVSH-së, e cila krahasuar me qershorin është ulur sipas doganës me 4 lekë për litër, pjesa tjetër e taksave janë fikse dhe nuk lehtësohen kur ulet çmimi.

Taksat apo monopoli në treg?

Debati kryesor që po zhvillohet është ai se cilat janë arsyet që mbajnë çmimin e naftës të lartë, taksat apo tregu monopol apo oligopol i karburanteve?

Kryetari i komisionit parlamentar të ekonomisë, Erjon Braçe ka akuzuar ditët e fundit kompanitë e naftës se nuk po e përcjellin uljen e çmimit në treg.

Përmes disa postimeve në Facebook, ku ka publikuar edhe të dhënat mbi diferencat mes çmimit të shitjes dhe kostos së blerjes, Braçe akuzon se tregu është i kontrolluar nga tre kompani, të cilat nuk e reflektojnë uljen e çmimit në bursë, duke rritur fitimet sipas tij abuzivisht.

Sipas Braçes, më shumë se taksat është tregu monopol që sjell mosndryshimin e çmimit dhe diferencat mes kostos së blerjes dhe çmimit të shitjes arrijnë mbi 30 lekë për litër.

Por pas këtyre komenteve ka ardhur dhe reagimi i Shoqatës së Hidrokarbureve. Duke mohuar akuzat tregtarët thonë se tregu i karburanteve është konkurrues si asnjë treg tjetër në vend dhe se shkaku për mosuljen e çmimeve janë taksat e larta që qeveria ka ngarkuar mbi naftën dhe benzinën.

Duke bërë një krahasim mes taksave që paguhen në Shqipëri dhe ato në vendet e tjera të rajonit, shoqata thotë se çmimi i shtijes jo vetëm që nuk është i lartë, por përkundrazi është nën kosto dhe mund të shndërrohet në problem që mund të ndikojë edhe në cilësinë e karburantit.

Sipas shoqatës, në Shqipëri paguhen tre kasa që nuk janë në asnjë vend tjetër dhe që vetëm këto shtojnë barrën fiskale me 30 lekë për litër. Tregu i karburanteve ka qenë gjithmonë në qendër të debateve, sa herë ka patur ulje të çmimit të naftës në bursë, për mosreflektim në tregun e brendshëm.

Top Channel